E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS ta luftojë në parlament drejtësinë që kërkon, jo te bojkotet e Ramës

Deputeti socialist, Andis Harasani akuzon kryetarin në ikje se po përdor PS-në, për interesat e tij

Deputeti i Partisë Socialiste Andis Harasani ka reaguar ashpër dje ndaj vendimit për të bojkotuar parlamentin, duke deklaruar se ky vendim i përngjet interesave të Ramës. Duke iu referuar mospjesëmarrjes në seancën e parë të parlamentit, Harasani deklaroi se Partia Socialiste duhet t’i drejtohet derës së Kuvendit, nëse kërkon vërtetë drejtësinë. “Ne duhet të hyjmë në parlament dhe të luftojmë për të arritur atë drejtësi që kërkojmë. Nëse dalim nga parlamenti nuk do të lejojmë të arrihen standardet që kërkohen”, u shpreh ai.
Deputeti dhe njëherazi anëtari i kryesisë socialiste, Andis Harasani, argumentoi kryetari në ikje ka bërë në mbledhjen e grupit kuvendor disa propozime të çuditshme ndërsa nuk ka mbajtur as fjalim, por në mënyrë mos përfillëse ka shpërndarë disa trakte. “Kryetari në detyrë i PS-së, Edi Rama, nuk mbajti fjalim në grupin kuvendor të PS-së, por na paraqiti një dosje, ku u bënë me dije kushtet e selisë rozë për të mos hyrë në parlament. U vendos në mënyrë të çuditshme që të mos shkohet në parlament”, tha ai.
Harasani shtoi më tej kanë qenë dy skema veprimi, njëra luftë brenda parlamentit dhe tjetra jashtë parlamentit, të cilën dhunshëm e ligjëroi Edi Rama, kryetari në ikje.  Deputeti i PS-së tha se u kërkua bërja e një opozite konstruktive në parlamentin e ri dhe jo orientimi drejt bojkoteve. “Bojkotet nuk sjellin asnjë zhvillim të mirë për gjendjen në të cilën ndodhet Partia Socialiste. Me këtë dua të theksoj se mënyra më e mirë për të demonstruar fuqinë tonë politike dhe paraqitur kushtet tona është përballja në kuvend. Ndërsa, skema e bojkotit është e rënë për PS-në”, tha Harasni.
Sipas tij, grupi kuvendor, nën diktatin e Ramës, ra dakord që zgjedhjet parlamentare ishin me legjitimitet të cunguar, por ajo çka i diferencoi ato, ishte bojkoti ose jo i parlamentit duke ritheksuar edhe njëherë idenë, se është nuk është normale që PS-ja të mos marrë pjesë në të.
Në mbledhjen e djeshme të grupit kuvendor morën pjesë 65 deputetë të PS-së, të cilët fituan mandatin në zgjedhjet e 28 qershorit, ndërkohë që një pjesë e tyre, si Ben Blushi, Arben Malaj, Andis Harasani etj, që janë dhe anëtarë të kryesisë së kësaj partie,  kundërshtojnë vijën e kryetarit në detyre, Edi Rama, për bojkot apo marrëdhënie të kushtëzuara të PS me parlamentin e ri të dalë nga këto zgjedhje

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›