“PS të japë kontribut në Kuvend, jo të shqiptojë pallavra rrugëve”
Deputeti i LSI Vangjel Tavo, apel opozitës
Nënkryetari i Kuvendit, njëkohësisht deputet i LSI-së, Vangjel Tavo në një prononcim për mediat ka kërkuar nga opozita që PS në sesionin e ri kuvendor të bëjë detyrën e saj në Parlament. Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Tavo theksoi se Shqipëria ndodhet një hap larg firmosjes së hyrjes në Bashkimin Europian dhe për këtë duhet edhe kontributi i socialistëve në Kuvend. Ai gjithashtu deklaroi se ka kundërshtuar gjithnjë bojkotin parlamentar të socialistëve.
“Unë kam qenë një nga deputetët, jo i vetëm por një grup deputetësh kanë qenë kundër idesë së kryetarit Rama për bojkotin e parlamentit. Opozita duhet që të vijë në parlament, të shpalosë alternativat e saj, jemi një hap larg firmosjes së marrëveshjes për hyrjen e Shqipërisë në BE dhe opozita ka rolin e vetë në këtë pikë, gjë që opozita se ka bërë punën, detyrën e saj”, theksoi Tavo.
Më tej, në vijim të fjalës së tij deputeti i LSI-së, Tavo foli gjithashtu edhe për performancën e ministrave të LSI në kabinetin qeveritar, duke kërkuar gjithashtu që ata të japin llogari edhe përpara strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Një shqetësim i Tavos ka qenë edhe gjendja që paraqitet sot nëpër spitale, mungesa e ilaçeve nëpër spitale po ashtu edhe kushtet dhe shërbimet që ofrohen për pacientët.
“Nëse për ministrinë e ekonomisë dhe atë të jashtme bëra këto vlerësime të justifikuara, meqenëse jam mjek do të thosha që nuk po shkon aq mirë puna në ministrinë e shëndetësisë. Është e papranueshme që sot, në spitalet tona, të mos ketë ilaçe dhe të detyrohen pacientët që të dalin dhe t’i blejnë ato në farmaci private.
Buxheti i shtetit për sektorin e shëndetësisë, në krahasim me 2005-ën është trefishuar, çka do të thotë që edhe shërbimet duhet të ishin 3-fish të përmirësuara”, deklaroi deputeti i LSI-së, Tavo.
Nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Tavo ka deklaruar gjithashtu se vlerëson ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar, duke theksuar se ekskluzivitetin e ndryshimeve të reja e ka vetëm kryeministri Berisha.