E Diel, 1 Nëntor 2026

Lufta ndaj krimit të organizuar, kontribut për sigurinë në rajon dhe më gjerë

09-08-2011 / Gazeta 55

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani takon homologun e tij, Bajram Rexhepi

“Forcimi i rendit, sigurisë dhe lufta ndaj krimit si në Shqipëri dhe në Kosovë është një kontribut i drejtpërdrejtë edhe për sigurinë në rajon e më gjerë”.
Këtë qëndrim shprehën në takimin që zhvilluan dje mes tyre ministri i Brendshëm Bujar Nishani dhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi.
Ministri Nishani nënvizoi gjatë takimit arritjet konkrete të bashkëpunimit mes forcave policore të të dy vendeve.
Në takim u theksua se grupet kriminale dhe trafikantët nuk njohin kufij dhe janë gjithmonë e më të sofistikuar dhe se përballë këtij sofistikimi të krimit kërkohet një bashkëpunim dhe bashkërendim më i ngushtë i veprimeve mes forcave tona policore.
Në takim u nënvizua gjithashtu fakti se gjatë implementimit të marrëveshjes së kontrollit të përbashkët në kufi, vetëm në periudhën korrik-gusht 2011 është bërë i mundur identifikimi dhe ndalimi i 19 personave të kërkuar nga INTERPOL dhe nga autoritetet e të dy vendeve.
Duke vlerësuar ndërhyrjen profesionale të forcave policore të Kosovës në ngjarjet e ditëve të fundit në dy pika kufitare veriore të Kosovës, ministri Nishani theksoi se rendi, siguria dhe sundimi i ligjit janë në vetvete garanci e demokracisë dhe e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
“Angazhimi i forcave tuaja policore u krye në respekt të Kushtetutës së një vendi sovran, me profesionalizmin e duhur të një force policore demokratike dhe me vullnetin e plotë për zbatimin e ligjit. Ai i dha mesazh popullit të Kosovës që ligji qëndron mbi gjithçka dhe ne ndihemi mirë që një shtet i ri po konsolidon institucionet e tij ligj zbatuese”, u shpreh në takim, ministri Nishani.
Ministri Nishani shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Brendshme për të mbështetur autoritetet e Kosovës me asistencë  në punën e tyre për përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›