“Plani i ri Urbanistik i Tiranës të zgjidhë të ‘drejtën e pronës’”

Ekspertët: Kusht për thithjen e investimeve në kryeqytet
Plani i përgjithshëm urbanistik i përgatitur nga administrata “Rama” dhe i kaluar për hir të kompromisit politik në Këshillin e Rregullimit të Territorit të Tiranës, që në atë kohë u rekomandua nga zyrtarë të qeverisë që të zgjidhet disa problematika kyçe, përndryshe ai nuk do të shihte dritën e miratimit në Këshillin e Rregullimit të Territorit.
Sipas, ekspertit të territorit, Marin Biçoku, ish zyrtar i Ministrisë së Transporteve dhe ish anëtarë i KRRTT-së, plani i përgjithshëm në versionin “Rama”, binte ndesh me kushtetutën e vendit, pasi nuk zgjidhte të drejtën e pronës, çelës për thithjen e investimeve.
“Qëndrimi ndaj pronës private ishte disi i paqartë, apo procedurat që kishin lidhje me trajtimin e pronës private nëpër investimet publike ishin të paqarta dhe kjo realisht në fund të fundit, të çon në kundërshtim me kushtetutën. Parimet bazë janë ato të Kushtetutës, të Kodit Civil dhe ato të Kodit të Procedurave Administrative dhe nuk mundet me një akt më të ulët që të ndryshosh këto”, u shpreh Biçoku.
Plani duhet të koordinojë interesin publik me atë të pronarëve dhe investitorëve, duke ruajtur dhe atë trashëgimi kulturore që ka mbetur, thekson Biçoku, ndërsa shton se gjithçka duhet të vijë në përshtatje së pari me terminologjinë ligjore, gjë që nuk e kishte projektplani i Edi Ramës, i cili nuk përshtatej as me ligjin e vjetër dhe as me atë të ri Urbanistik.
“Gjëja e parë që do të dëshiroja të shihja, do të ishin aktet ligjore. Akt ligjor është p.sh, zoti Basha përmendi bërjen e një plani veprimi, që në fakt është më i gjerë sesa vetë hapat që do të ndiqen për bërjen e Planit Rregullues, por pjesë e tij janë dhe hapat që do të ndiqen për Planin Rregullues. Sigurisht që ky plan veprimi duhet të jetë i mbështetur në parashikime ligjore për hartimin e një pani territorial, apo plani rregullues së pari dhe së dyti për hartimin e këtij plani veprimi duhet të ndjekin procedurat ligjore të miratimit në Këshillin Bashkiak, porsa kohë zoti Basha do të aplikojë ligjin e ri për rregullimin e territorit. Për këtë arsye është e nevojshme që të mbështetet dhe çdo hap të jetë hap ligjor”, thotë Biçoku.
Së treti, kryeqyteti nuk mund të konsiderohet sipas Biçokut, i shkëputur nga fqinjët përreth, siç ndodhte me projektin e Ramës. Kjo sipas tij, duhet të jetë një tjetër element që duhet të ri-shihet në projekt-planin e përgjithshëm të Tiranës, e cila sipas tij nuk mund të zhvillohet pa një bashkëpunim të ngushtë me njësitë vendore në kufi të saj, sa ç’është e vërtetë edhe situata e anasjelltë për komunat.
“Bashkia e Tiranës, realisht ka nevojë për disa burime mbi të gjitha natyrore, të cilat nuk arrin t’i plotësojë brenda territorit administrativ të saj dhe që shumë mirë i kanë komunat kufitare. Sikurse dihet, komunat kufitare ushtrojë një presion drejt bashkisë dhe territorit të saj, për shkak të burimeve ekonomike që mbart si potencial Bashkia e Tiranës. Kështu që, ka disa marrëdhënie që në pamje të parë ka pasur marrëdhënie që për vite me radhë kanë qenë kontradiktore, me akuza të ndërsjella. Në fakt, nuk duhet të jetë kështu por përkundrazi, duhet një bashkëpunim i hapur midis partnerëve, midis kryetarëve të njësive vendore, pasi Tirana vërtetë ka një rol të rëndësishëm jo vetëm se është kryeqytet, por edhe se është një potencë e madhe e zhvillimit ekonomik”, deklaron më tej eksperti i territorit, Marin Biçoku.
Plani i Përgjithshëm Urbanistik i Tiranës, i munguar prej 11 vjetësh dhe i premtuar nga kryebashkiaku Basha për t’u përfunduar brenda një viti, konsiderohet nga ekspertët e territorit si problem kryesor i kaosit urban dhe trafikut në kryeqytet.
Gjithçka ka ardhur sipas tyre, për shkak të filozofisë së zhvillimit pjesor siç është edhe plani i qendrës së qytetit, apo aktualisht ai i sheshit “Skënderbej”, i cili është një tjetër plan, i cili po rishikohet nga grupi i punës në bashkinë e Tiranës. Siç ka deklaruar edhe kryebashkiaku Basha, qendra e ndërtuar në këtë mënyrë, nuk do të zgjidhë çështjet e përditshme të qytetarëve dhe vizitorëve të Tiranës si parkingu dhe trafiku që sa vjen e rëndohet, probleme që në të vërtetë shkaktojnë jo vetëm stres, por mbi të gjitha shtrenjtojnë edhe kostot e jetesës.