PS tërheq kërkesën për Lezhën: Po e bëjmë për interesat e vendit
Kallëzim në prokurori për të gjithë paligjshmërinë e votimit në Laç dhe Mamurras
Partia Socialiste është tërhequr zyrtarisht nga kërkesa për rivotim në qarkun e Lezhës. Lajmi u bë i ditur nga Sekretari për Çështjet zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri i cili tha se ky vendim u mor për të mos zgjatur më tej procesin e zgjedhjeve në vend, duke i hapur rrugë kështu Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të bërë certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit.
Deklarata
Damian Gjiknuri tha se nëse zgjedhjet në qarkun e Lezhës do të përsëriteshin koalicioni i majtë do të rikonfirmonte sërish 84 mandate, madje sipas tij me një diferencë më të madhe se në 23 qershor kundrejt koalicionit të djathtë. Zgjedhjet në qarkun e Lezhës nuk kanë vetëm njërën anë të errët, atë të ndërhyrjes në rezultatet e 4-5 QV të ZAZ 13, mbi të cilat PD ndërtoi gjithë alibinë e saj politike. Përsëritja e zgjedhjeve në qarkun e Lezhës jo vetëm do të rikonfirmonte 84 mandatet e mazhorancës, por mund të thellonte dhe më shumë këtë rezultat. Por të vetëdijshëm për nevojën që ka vendi për ti dhënë fund sa më shpejt procesit zgjedhor, përkundër interesit të ngushtë politik, vendosëm të tërhiqemi nga kjo kërkesë. Kjo edhe për ti hequr çdo fije justifikimi kundërshtarit tonë politik, i cili pas humbjes dërrmuese në 23 qershorit po mundohet të njollosë zgjedhjet apo të ndërtojë alibi politike sikur zgjedhjet ia paska vjedhur opozita, tha Gjiknuri.
Hetimi
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, tha do të ketë një kallëzim penal për shkeljet e konstatuara gjatë votimeve në Laç dhe Mamurras ndërsa u shpreh se PS është e gatshme për një hetim parlamentar të zgjedhjeve. Ndërkohë aktet e paligjshme në procesin zgjedhor duhet të marrin ndëshkimin e merituar sipas ligjit. Partia Socialiste do të kallëzojë në prokurori të gjithë paligjshmërinë e votimit në Laç dhe Mamurras si dhe veprimtarinë e KQZ pas ditës së zgjedhjeve, u shpreh Gjiknuri. Në vijim, Damian Gjiknuri bëri publike disa prej shkeljeve, të evidentuara sipas tij gjatë votimit në qarkun e Lezhës. Nga verifikimi i 6 qendrave të votimit rezultojnë se kanë votuar qindra qytetarë të cilët nuk kanë qenë në Shqipëri ditën e votimit dhe kjo është vërtetuar nga sistemi TIMS. Nga inspektimi grafik del qartë se janë mbi 200 nënshkrime të hedhura nga e njëjta dorë në vetëm një qendër votimi dhe këtë e kanë verifikuar ekspertët, deklaroi Gjiknuri.
PD: PS i trembet përballjes me vullnetin real të zgjedhësve
Partia Demokratike reagoi pas vendimit të Partisë Socialiste për tërheqjen e kërkesës për përsëritjen e votimit në qarkun e Lezhës. Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Oerd Bylykbashi tha se PS, ka frikë të përballet me vullnetin real të zgjedhësve në qarkun e Lezhës, ndërsa i kërkoi kreut të PS-së, që tu kërkojë falje qytetarëve të Lezhës që u tjetërsoi vullnetin. Tërheqja e tij fakton më së miri se ai i trembet përballjes me vullnetin real të zgjedhësve në qarkun e Lezhës të paintimiduar nga paratë dhe presionet e krimit dhe trafikut. Edi Rama duhet tu kërkojë ndjesë qytetarëve të qarkut të Lezhës dhe mbarë qytetarëve shqiptarë që u tjetërsoi vullnetin. Edi Rama duhet të kërkojë ndjesë dhe të dënojë kërcënimet banditeske që iu bënë përfaqësuesit ligjor të PD-së në KQZ për të cilat nuk u distancua asnjëherë duke faktuar se është bërë një me falangat që projektuan këtë akt të pashoq, tha Bylykbashi. Më tej, Bylykbashi lëshoi një sërë akuzash për sa i përket mazhorancës së re. Kjo tërheqje dëshmon qartë mungesën e sinqeritetit, keqbesimin dhe keqdashjen e Edi Ramës, kur për 2 vjet kërkoi transparencë pa asnjë provë, me qëllimin e vetëm bllokimin e integrimit evropian të Shqipërisë. Sot, kur vjedhja ka dalë në dritë, ai nxiton ta mbulojë atë me pretendimin absurd se po vepron në interes të vendit. Sot është e qartë për çdo shqiptar e vërteta e hidhur mbi të cilën u ndërtua mazhoranca e mashtrimit dhe e votave të vjedhura, deklaroi Oerd Bylykbashi.
Lezha dhe Kukësi qarqet e vetme ku demokratët kanë shumicën
Pas tërheqjes së Partisë Socialiste për përsëritje të zgjedhjeve në qarkun e Lezhës, duket se ky qark do të jetë i dyti pas Kukësit ku demokratët kryesojnë ndaj socialistëve. Fillimisht nga rezultatet e nxjerra nga qendrat e numërimit, qarku i Lezhës kryesohej nga koalicioni i majtë. Por pas kërkesës së Partisë Demokratike, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ku kërkoi verifikim të procesverbaleve për disa qendra votimi rezultatit u kthye 4 me 3 në favor të koalicionit të djathtë. Në vijim, KQZ vendosi të rinumëronte të gjitha kutitë e votimit në qarkun e Lezhës, vendim ky i cili u rrëzua nga Kolegji Zgjedhor. E vetmja kërkesë e cila do të shqyrtohej nga Kolegji Zgjedhor për qarkun e Lezhës ishte ajo e PS-së për përsëritje të zgjedhjeve, por tashmë pas tërheqjes së PS-së, edhe kjo kërkesë ra. Pas këtij vendimi, i hapet rruga KQZ-së për të bërë certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit.