“Statusi kandidat i Shqipërisë, në axhendën tonë 6 mujore”
Presidenca e BE, Polonia
Polonia mori më 1 korrik presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, duke premtuar fokusimin e politikave të Brukselit në vendet e ballkanit perëndimor. Pak ditë më parë, Polonia prezantoi objektivat e presidencës së BE, ku konfirmoi mbështetjen për aspiratën evropiane të Shqipërisë.
“Presidenca polake e BE-së do të bëjë përpjekje për të zbatuar strategjitë e BE-së për zgjerimin”, tha ambasadorja e Polonisë në vendin tonë, Irena Tatarzynska, gjatë prezantimit të prioriteteve 6 mujore të presidencës polake.
“Prandaj, ka shumë rëndësi në këtë drejtim që vendet kandidate si edhe vendet që aspirojë për t’u bashkuar me BE-në, të tregojnë vendosmërinë e tyre në këtë proces. Kushtëzimi në këtë drejtim siguron edhe cilësinë e procesit të zgjerimit të BE-së. Prandaj, ne e shikojmë këtë si një faktor, i cili lehtëson procesin e zgjerimit, por edhe të kohezionit të BE-së. Prandaj, përfitoj nga ky rast për t’i shprehur urimet më të mira popullit shqiptar, qeverisë shqiptare, që të ecë me shpejtësi drejt realizimit të kritereve të përcaktuara nga BE-ja, në mënyrë që ajo të bashkohet me BE-në kur të ketë plotësuar këto kritere”, tha ambasadorja Tatarzynska, duke premtuar se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të marrë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti.
Gjithsesi, e rëndësishme mbetet që gjatë kësaj presidence të Bashkimit Evropian, Shqipëria të realizojë detyrat e vëna nga BE, në mënyrë që në nëntor, kohë kur edhe dorëzohet progres-raporti i Komisionit Evropian, Shqipëria të jetë gati për të marrë statusin e vendit kandidat.