Agim Pepa, sherr në qeli për telefonin e burgut
Fatos Mahmutaj
Sherri për telefonin, Agim Pepa përleshet me të burgosurin në qelitë e Peqinit.Pak ditë më parë në qelitë e burgut të Peqinit, Agim Pepa, i dënuari përjetë për vrasjen e ish-komisarit të Krujës Gani Malushi, është bërë shënjestra e një hakmarrje të një grupi të burgosurish nga Elbasani, pas një grindjeje të rëndomtë mes tyre një ditë më parë. Sherri, mes të dënuarve të sigurisë së lartë në qelitë e burgut të Peqinit, i cili konfirmohet edhe nga kreu i këtij institucioni, ka zënë fill te kabinat telefonike të burgut, ku i transferuari nga burgjet greke, Xhaferr P, nga Elbasani është grindur me një nga shokët e qelisë së Pepës, i cili kishte bllokuar kabinën telefonike pasi po fliste gjatë. Xhaferr P, i dënuar me 23 vjet burg në Greqi, për trafik narkotikësh, i ka kërkuar bashkëvuajtësit të mbyllte telefonin dhe të largohej nga kabina por ai nuk ka pranuar, çka ka sjellë grindje mes tyre. Pas kësaj në grindje ka ndërhyrë edhe Pepa dhe pak minuta më vonë gjithçka ka qenë e qetë. Një ditë më pas, ndërsa mendohej se grindja ishte shuar, Pepa është gjendur në dhunën e Xhaferr P dhe disa shokëve të tij nga Elbasani, të cilët mësohet se veç tjerash e kanë goditur edhe disa herë në njërin sy. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i autoriteteve policore të këtij institucioni, të cilët pasi i kanë ndarë dy të dënuarit, i kanë dërguar menjëherë në qelitë e izolimit, ku komisioni i disiplinës u ka dhënë masën ndëshkuese të 20 ditëve izolim. Kreu i këtij institucioni, i kontaktuar nga "Panorama" pohoi se për shkak të punës që ka bërë stafi i edukimit, të dy të dënuarit kanë shfaqur pendesë dhe se i kanë kërkuar falje njëri-tjetrit. Sipas drejtorit të këtij burgu, komisioni i disiplinës, ende nuk ka vendosur nëse dy të burgosurit e sigurisë së lartë do të tolerohen për t'u nxjerrë nga izolimi ende pa përfunduar masën ndëshkimore. Ndërkohë burime të tjera nga burgu pohojnë se Pepa është rrahur dhunshëm nga disa bashkëvuajtës elbasanas, të cilët kishin përkrahur shokun e tyre Xhaferr P. Sipas burimeve nga të dënuarit, Pepa ishte sulmuar nga grupi i të burgosurve elbasanas, të cilët e kanë qëlluar me grushte e shkelma, ndërsa më pas ka ndërhyrë policët e sigurisë, të cilët kanë shoqëruar për në qelitë e izolimit dy protagonistët kryesorë të sherrit. Agim Pepa, me origjinë nga Mirdita dhe banues në Durrës, i dënuar përjetë për vrasjen e komisarit Gani Malushi dhe shoferit të tij Gjovalin Ndreu më 6 gusht të vitit 2004, prej pesë vitesh ndodhet në qelitë e sigurisë së lartë të burgut të Peqinit. Ndërsa personi që u përlesh me të, Xhaferr P, nga qyteti i Elbasanit ka vetëm pak kohë që ndodhet në qelitë e sigurisë së lartë të burgut të Peqinit, pasi është transferuar nga Greqia, ku ka marrë dënimin me 23 vite burg për veprën penale të trafikimit të narkotikëve.