E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS tryezë për drejtësinë, Rama: Po fshihen provat për 21 janarin

Në fjalën e tij, kryetari Rama tha se duhet të dëgjohet sa më shumë zëri i njerëzve të drejtësisë, teksa shtoi se problematika në këtë fushë është thellë dhe e gjithanshme.

“Është një barrë e posaçme edhe sepse bëhet fjalë për të projektuar një reformë tërësore. Por është një barrë e pashmangshme sepse vizioni ynë për riorganizimin e drejtësisë dhe funksionimin e shtetit të së drejtës, duhet të jetë sa më i kthjellët dhe sa më i detajuar. Ne e kemi hedhur vetëm një hap të parë në programin “Për një Rilindje Shqiptare”, të miratuar në Kongresin e 5 nëntorit, lidhur edhe me këtë drejtim. Por është vetëm një hap i parë. Ne duhet të hedhim shumë hapa të tjerë deri sa të formësojmë një panoramë shumë të qartë të asaj çka duhet të bëjmë dhe sesi duam ta bëjmë”, tha Rama.

Ai përmendi më tej, sulmet sipas tij, që mazhoranca aktuale zhvillon ndaj Prokurores së Përgjithshme. “Jo më larg se pak minuta para se ne të fillonim këtë takim pushteti vazhdoi sulmin ndaj Prokurores së Përgjithshme, vazhdoi sulmin ndaj opozitës, vazhdoi sulmin ndaj së vërtetës, lidhur me 21 janarin. Si është e mundur që BE të mund të pranoj në gjirin e vet, një vend ku pushteti ekzekutiv sulmon në një mënyrë të tillë barbare prokurorinë dhe ku Prokurorja e Përgjithshme kthehet në shënjestër për të penguar medoemos daljen e së vërtetës lidhur me një ngjarje tragjike. Si mundet që BE të mund të pranojë në gjirin e vet një vend ku për të penguar të vërtetën lidhur me një ngjarje që e implikon drejtpërdrejtë atë, qeveria e vendit fshin provat, pengon hetimin, bën çmos për të devijuar rrugën drejt së vërtetës?”, theksoi ai. 

                                                                                             2012-02-02 07:42
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›