E Diel, 1 Nëntor 2026

PS tryezë për peshkimin në shëngjin të Lezhës

TIRANË- Grupi i punës i PS për Bujqësinë zhvilloi sot një tryezë në Shëngjin për problemet e peshkimit. Zyra e shtypit e PS-së bëri të ditur se kjo tryezë kishte si qëllim që të evidentonte e ballafaqonte problemet e vështirësitë e sektorit të peshkimit me përfaqësues të këtij sektori nga i gjithë vendi, nga peshkimi detar dhe nga peshkimi i ujërave të brendshme, nga Shkodra deri në Sarandë nga Durrësi e Vlora deri në Pogradec. 

Problemet që u diskutuan, analizuan, si dhe shkaqet dhe rrugët e zgjidhjes së tyre do të shërbejnë për t’i pasqyruar në programin e PS “Për Një Rilindje Shqiptare”. Sipas diskutuesve investimet shtetërore në sektorin e peshkimit në këto 7 vitet e fundit kanë qenë nivelet minimale. 

Në fjalën e tij, kryetari i grupit të punës për zhvillimin rural Agron Duka tha se “ky sektor vuan nga mungesa e transaksioneve reale tregtare dhe të konkurrencës, vështirësive të daljes në treg, kapaciteteve magazinuese dhe përpunuese, karakterizohet nga një nivel i ulët i të ardhurave dhe varfëri dhe një nivel të ulët shkollimi”. 

Ai vuri në dukje se “kostot e larta të karburantit nga taksa pa kuptim mbi karburantin e peshkimit si dhe taksa e qarkullimit rrugor, mungesa e infrastrukturës portuale, mungesa e infrastrukturës ndihmëse, si shkallët e riparimit të anijeve dhe markatat e peshkut, peshkimi i paligjshëm në liqenet si ai me gjenerator, me dinamit dhe mjete të tjera shfarosëse, një administratë e dobët menaxhuese janë disa nga problemet që ne kemi identifikuar dhe që kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme" 
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›