E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS vendim në grup: S´do e votojmë projektligjin

13/09/2011  Votimi i Gjykatës Administrative, Topalli: Pres vepra nga opozita”

Partia Socialiste nuk do votojë sot projektligjin për gjykatën administrative. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e grupit parlamentar, ku si pretekst nga ana e grupit të PS-së është ngritur pretendimi i mosshqyrtimit në themel të këtij projektligji të propozuar nga qeveria, nga ana e deputetëve socialistë. Grupi i PS-së është i mendimit se projektligji duhet të kthehet dhe një herë në komisione për rishqyrtim dhe më pas të kalohet në seancë. Ndërkohë Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha se seanca e sotme parlamentare është prova që opozita do të japë në shenjë të angazhimit të saj për mbështetjen e reformave në vend. Konkretisht ajo kishte parasysh votimin e ligjit për Gjykatën Administrative, që kërkon 3/5 e votave dhe që është parashikuar të votohet sot, ligj për të cilin deputetët e Partisë Socialiste mendojnë se është e domosdoshme rishikimi i tij. Kryeparlamentarja e dha këtë përgjigje në interes të medies gjatë konferencës së përbashkët për shtyp që zhvilloi dje me deputetin e Bundestagut gjerman Roderich Kieseveter pas takimit që pati me të.

Gjykata Administrative

“Uroj të kemi vepra përtej fjalëve”. Kryetarja Topalli shprehu besimin mbi fillimin e një sesioni të mbarë parlamentar me ecurinë e seancës së sotme, ku në rend të ditës është votimi i ligjit për ngritjen dhe funksionimin e gjykatave administrativ, ligj që kërkon edhe votën e opozitës. Optimizmin e saj ajo e mbështeti te deklaratat e socialistëve pro reformave si dhe miratimin e kalendarit të punimeve. “Në konferencën e kryetarëve me unanimitet ne kemi përcjellë në seancë kalendarin trejavor, i cili përfshin disa nga ligjet që kërkojnë një numër të cilësuar votash, pra kërkojnë edhe votën e opozitës, mes të cilëve edhe ligji për Gjykatat Administrative. Siç keni qenë dëshmitarë, ky kalendar është votuar me unanimitet, është kaluar në seancën plenare pa asnjë kundërshti dhe unë shpresoj se të gjitha forcat politike do të jenë luajale në qëndrimet e tyre”, - tha Topalli. Në vijim të fjalës së saj ajo kujtoi se ligji në fjalë është një produkt i angazhimit dhe i kontributit të Partisë Socialiste, që i ka bërë ndryshime këtij ligji, duke marrë edhe miratimin e deputetëve të mazhorancës në Komisionin e Ligjeve. Amendamentet që iu bënë këtij ligji kohë më parë me votat e mazhorancës nuk u përkrahën nga opozita, e cila e bojkotoi Komisionin e Ligjeve dhe seancën kur u votua ai. Sipas deputetëve të saj, me variantin aktual synohet kontrolli nga mazhoranca e kësaj gjykate.

Dështimi

Kuvendi dështoi në punën e tij për të miratuar projektligjin që synonte ngritjen e një gjykate administrative në fund të tetorit të vitit që shkoi, ndonëse e dinte mirë se po humbiste të gjitha fondet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin parashikuar për këtë projekt. Kjo seancë, afati i fundit i vendosur nga SHBA-të, u braktis nga opozita pa nisur procesi i votimit. Përmes përfaqësuesve të saj PS-ja i parashtroi mazhorancës disa nga kërkesat e saj për të arritur pas realizimit të tyre në dhënien e votës për ligjin në fjalë. “Duhet të ndryshoni filozofinë tuaj të qeverisjes, në mënyrë që shteti të mos kapet nga pushteti, që gjykatat të mos kenë në përbërje të tyre militantë partiakë. Ndërpriteni seancën, merrni kohën tuaj dhe ndryshoni filozofinë tuaj të qeverisjes dhe vetëm pas kësaj ne do të jemi të gatshëm të ulemi me ju që të miratojmë reforma”, - tha kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi.

Procesi i integrimit

“Mendoj se Kieseveter ishte shumë i qartë, bojkoti i ka bërë shumë dëm Shqipërisë, duke shpresuar që në seancat e ardhshme të kemi vepra përtej fjalëve, unë dua të mendoj pozitivisht që të kufizojmë sa më shumë që të jetë e mundur dëmin që bojkoti dhe bllokimi i ka bërë vendit. Gjithsesi, objektivi ynë i integrimit mbetet gjithmonë një motor i fuqishëm për të çuar përpara ndryshimet dhe transformimet e vendin tonë.”

“Në pritje të propozimeve për Kodin Zgjedhor”

Mazhoranca është në pritje të propozimeve të opozitës për reformën zgjedhore. Kryeparlamentarja Topalli tha se kjo çështje ka qenë një ndër pikat kyçe më të rëndësishme në axhendën e diskutimeve në Konferencën e Kryetarëve, e cila është diskutuar dhe është futur në kalendar. “Po presim propozimet nga deputetët sipas rregullores së Kuvendit. Unë pres vepra pas fjalëve, unë nuk kam pse të paragjykoj. Ajo që unë mund të bëj si Kryetare e Kuvendit është t’i nxis, t’i inkurajoj për të bërë detyrën të gjitha forcat politike dhe unë dua të mendoj pozitivisht për secilin”, - deklaroi Topalli. Ajo përfundoi duke deklaruar se si bllokimi, ashtu dhe bojkoti i punimeve të Kuvendit, nga ku reformat marrin jetë, i kanë bërë shumë dëm vendit.

Kieseveter: Keni humbur kohë me bojkotin

Deputeti i Bundestagut gjerman Roderich Kieseveter përcolli mbështetjen e qeverisë gjermane për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Duke iu referuar situatës aktuale në vendin tonë, ai shprehu keqardhjen për humbjen kohë të Kuvendit, në realizimin e reformave për shkak të bojkotit të opozitës. “Për fat të keq, për shkak të bojkotit të Kuvendit, Shqipëria ka humbur kohë të vlefshme dhe ka ardhur koha për ta ndryshuar këtë. Për shkak të kësaj bllokade është humbur kohë nga të dyja anët, pra mbetet për të bërë diçka, - theksoi deputeti gjerman. - Për këtë arsye, - vijoi ai, - dëshirojmë të inkurajojmë në mënyrë që të vazhdoni me përpjekjet për të përmbushur detyrat që keni, pasi është në dorën e Shqipërisë që të ecë përpara.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›