E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS voton sot përjashtimin e Islamit. Berisha e fton në PD

Berisha bashkë me Fatos Nanon dhe Ilir Metën

(I përditësuar)-  Sot pritet që grupi parlamentar i PS-së të diskutojë dhe të vendosë në lidhje me përjashtimin e deputetit Kastriot Islami. Diskutimet dhe votimin për përjashtimin e Islamit do t`i drejtojë kryetari i grupit të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi.

Në mbledhjen e  kryesisë, Ruçi u ngarkua që të thërriste deputetin Islami për të sqaruar mungesën e tij, në votimin për kreun e KLSH-së, Bujar Leskaj, në seancë plenare. Mbledhja e grupit parlamentar të PS-së, pritet të mbahet sot në ora 13:00.

Ndërkohë që lideri i opozitës Edi Rama zhvilloi dje, takime me anëtarë të kryesisë së PS-së dhe me deputetë të ndryshëm, me të cilët ka diskutuar veç çështjeve organizative, edhe çështjen e përjashtimit të Islamit.

************

Berisha fton Kastriot Islamin që të bashkohet me PD

Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike – ashtu siç bën vazhdimisht ka komentuar mbi zhvillimet e fundit brenda opozitës. Këtë herë ai ka folur për Kastriot Islamin, për të cilin grupi parlamentar i Partisë Socialiste mund të marrë vendimin për përjashtimin e tij nga grupi.

Berisha, gjatë një ceremonie për promovimin e librit biografik për Enver Hoxhën të Blendi Fevziut, i ka bërë ftesë Islamit që ti bashkohet PD-së. Me doza sarkazme, Berisha është shprehur se në PD nuk bëhen përjashtime ndaj edhe i sugjeronte Islamit një gjë të tillë. Vetë Kastriot Islami në rrjetin social “Facebook” ka përgënjeshtruar një gjë të tillë.

Berisha edhe pse vazhdimisht është shprehur se nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e opozitës, nuk lë rast ti shpëtojë pa komentuar zhvillimet brenda saj.

Në rastin e drejtimit të një sfide të kreut të PS-së Edi Rama për debat publik me të, Berisha reagojë duke thënë se nuk dëshironte pasi kështu do të ndikonte në kongresin e PS-së.

Berisha ka përdorur vazhdimisht divergjencat brenda radhëve të PS-së për ti kthyer ato në kapital politik për partinë e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›