E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS zbulon praktikave korruptive ne koncesionin e dhene mbi lumin Devoll

Andis Harasani

Tiranë, 21 shkurt 14:50 NOA - Partia Socialiste thotë se si në opozitë dhe në drejtim të vendit, ka si strategji që të mbështesë çdo koncesion dhe investim direkt që sjell zhvillim, veçanërisht në sektorët e ndjeshëm si energji, infrastrukturë, dhe ujësjellësa.

Por shton se në asnjë mënyrë “nuk mund të bashkohemi dhe të mbështesim procedura koncesionare joreale, jotransparente dhe korruptive si ajo mbi lumin Devoll”.

Këtë konstatim e bëri sot ish drejtori i KESH-it, Andis Harasani, në një periudhë vite më parë kur vendi zhytej çdo ditë shumë orë në terr.

Deputeti aktual i PS, tha se “është e papranueshme që për asete me rëndësi kombëtare jo vetëm që nuk bëhet asnjë studim, jo vetëm që gënjehet ditën për diell por akoma dhe më keq, shkelet çdo ligj dhe konkurrim duke aplikuar procedura që shkelin çdo barazi në tender, me qëllim nxjerrjen nga gara të investitorëve serioze potencialë të cilët mes 101 vështirësish arrijnë të vijnë në Shqipëri”.

Këtu Harasani theksoi se “ne jemi të bindur se në këtë rast Ministria ka konsumuar një vepër të rëndë penale”, duke shtuar se në rastin e hidrocentralit mbi lumin Devoll kjo është më evidente se kurrë.

Më tej, Harasani përmendi nëntë argumente sipas tij, kundër koncesionit në Devoll:

1. Nuk ka asnjë studim mbi nevojën dhe kriteret e ndërtimit të një HEC në këtë lum!

2. Konkurrimi është bërë mbi bazë kriteresh që e bëjnë projektin jo feasible duke sjellë largimin e 11 kompanive serioze dhe me përvojë në këtë fushë jetike për Shqipërinë

3. Një kompani nga më seriozet në Evropë dhe në botë pasi s'kualifikohet nga tenderi si e paaftë për të ndërtuar veprën, pak ditë më vonë i kërkohet t'i bashkëngjitet fituesit

4. Në dokumentet fillestare kërkohet përfundimi i HEC mbi lumin Banjë, dhe në kontratën e miratuar nga Qeveria Shqiptare kjo nuk përmendet!

5. Shkelet ligji mbi koncesionet pasi në vend të jetëgjatësisë së aprovuar prej 35 vitesh në ligjin e koncesioneve, në kontratë kompanisë fituese të paracaktuar i jepet e drejta që ta shtyjë pa afat!

6. Kompania fituese nuk merr përsipër të dëmshpërblejë asgjë për përmbytjet masive që do ndodhin në këtë zonë!

7. Jepen lehtësira fiskale për koncesionarin dhe pranohen kushte dëmshpërblimi nga shteti shqiptar që për periudha afatgjata si në rastin e këtij koncesionit do të dëmtojnë seriozisht buxhetin e shtetit shqiptar!

8. Askush nuk thotë se kush janë partnerët shqiptarë që i janë bashkëngjitur me porosi këtij koncesioni, dhe aq më keq, sillet kontrata në parlament dhe kompania shqiptare nuk ka as numër nipti dhe as është e regjistruar në organet tatimore shqiptare!

9. Përfitimi për shtetin shqiptar nga ky koncesionar është qesharak! Po ju bëjmë të njohur që është ekzaktësisht pesë herë më pak se në rastin e koncesionarit të dhënë po nga qeveria Berisha në 97

Duke përfunduar qëndrimin e Partisë Socialiste, Harasani tha se “ne kërkojmë një rishikim të kësaj kontratë duke mbajtur parasysh eliminimin e favorizimeve korruptive dhe mbi të gjitha interesat e popullit shqiptar”.

e.l/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›