Edi Rama ne Librazhd, kritika te forta kryeministrit per mungesen e dritave

Librazhd, 21 shkurt 19:56 NOA - Në qytetin e Librazhdit ku ka qenë ndalesa e radhës e Kryetarit të PS me Rrjetin e Vullnetarëve për Ndryshim, ku sot banorët i kanë rezervuar një pritje masive Edi Ramës dhe deputetëve që e shoqëronin.
Duke qenë se salla ishte e vogël dhe nuk i nxinte të gjithë Edi Rama ka përshëndetur të gjitha ata që qëndronin jashtë sallës duke u premtuar se shumë shpejt do të rikthehej në këtë qytet për një tjetër takim me ta.
Më pas takimi ka vazhduar me njerëzit që e prisnin në sallën e kinoteatrit ku njerëzit kanë qëndruar edhe në këmbë për shkak të kapacitetit të kësaj salle. Edi Rama është përqendruar në keqqeverisjen dhe korrupsionin që është kthyer tashmë në sistem nga njeriu i cili u votua në 2005 për luftën ndaj tij.
Rama ka sqaruar se vizioni i socialistëve për një politikë të re synon rimëkëmbjen e Shqipërisë: "Asnjëherë papërgjegjshmëria dhe i pari i punëve të këtij vendi nuk kanë qenë më bashkë sesa sot. Asnjëherë paaftësia dhe i pari i qeverisë së këtij vendi nuk kanë qenë më të njehsuar sesa sot. Asnjëherë korrupsioni dhe kryeministri i këtij vendi nuk kanë qenë më të lidhur me njëri-tjetrin sesa sot.
Rama shtoi se është koha që asnjë qytetar e qytetare të mos e lerë bosh vendin e vet në këtë përpjekje për t'i dhënë fund të vjetrës në pushtet dhe për t'i dhënë jetë një pushteti të së resë.
“Ne nuk kemi ardhur këtu për të bërtitur poshtë Sali Berisha, por ne kemi ardhur këtu për të ngritur lart Shqipërinë, duke ngritur lart njëri-tjetrin”, - sqaroi kryesocialisti.
Ndërsa shtoi: “Na takon neve t'i japim jetë një politike të re duke u mbështetur mbi të vërtetën e thjeshtë se politika ka lindur për t'u dhënë njerëzve mundësinë të zgjidhin së bashku probleme që të vetëm nuk i zgjidhin dot kurrë”.
Rama vlerësoi se “politika e re nuk është një skenë ku një grusht burrash shahen e kacafyten dhe ku fiton ai që bërtet e shan më shumë, po një hapësirë ku njerëzit mund të zgjidhin së bashku problemet bashkëjetesës së tyre në këtë vend, duke përmirësuar jetën e secilit”.
Incidenti
Mirëpo gjatë fjalës së tij kryesocialisti është ndërprerë nga ikja e energjisë elektrike në sallë. Ikja e dritave ka shkaktuar një reagim të fortë të banorëve të Librazhdit të cilët kanë shtuar me forcë thirrjet për ndryshim.
Megjithatë takimi me vullnetarët në këtë qytet nuk është ndërprerë edhe pas ikjes së energjisë elektrike, pjesëmarrësit kanë insistuar që takimi të vazhdojë.
Rama është ndalur në premtimin për 24 orë drita të 2005 për të cilin Kryeministri Berisha betohet se e ka mbajtur solemnisht por në fakt realiteti ofron fakte të tjera:
"Sot jemi 127 ditë nga përfundimi i mandatit të kësaj qeverie, e cila u votua me shumë premtime dhe një nga këto premtime ishte 24 orë drita, 24 orë ujë, por sot kur duhet të ishte mbajtur ky premtim dhe kur ne në ora 4 pasdite, në një qytet jemi pa drita, dhe kur të gjitha fshatrat e vendit kanë rregullisht mungesë dritash, nga 4 deri në 8 orë, Sali Berisha thotë e mbajtëm premtimin solemn: në Shqipëri nuk ka ndërprerje dhe ne i furnizojmë familjet shqiptare me 24 orë drita. Kurse qytetet e vogla si Librazhdi, nuk quhen dhe nuk llogariten kur flitet për halle dhe probleme”.
“Mjafton që të ketë drita në Tiranë dhe në dy a tre qytete të mëdha, dhe për ta kjo është një punë e kryer, ndërkohë që për ne nuk mund të ketë një Shqipëri evropiane në Tiranë dhe një Shqipëri evropiane mesjetare që jeton në fshat, apo në qytete si Librazhdi, sepse Shqipëria është një dhe qytetarët e Shqipërisë janë qytetarë të Shqipërisë me liri dhe të drejta të barabarta, qofshin në Tiranë, qofshin në Librazhd, qofshin në Tropojë, qofshin në Konispol, qofshin në fushë, qofshin në mal”, - theksoi z.Rama.
a.k/NOA