E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria pa politika rurale

Tiranë - Nismat e qeverisë nuk sjellin asnjë dobi për fshatin dhe bujqësinë. Planet e qeverisë për bujqësinë në fshat sjellin vetëm përfitime personale; projekte që plaçkisin dhe ato pak burime të cilat kanë mbetur në zonat rurale që nuk janë në bregdet. Kështu ka deklarua Nënsekretari për Programin e Partisë Socialiste, Ervin Bushtai. Gjatë një konference për shtyp ai theksoi se mungesa e seriozitetit dhe abuzimet qeverisëse do të dëmtojnë rëndë fshatin dhe bujqësinë në vitin e vështirë që kemi hyrë. “Bllofet me ullirin apo me bletën, njësoj si ato për rritjen e paqënë ekonomike, vetëm sa rëndojnë gjendjen ekonomike dhe pritshmërinë për një jetesë dinjitoze në fshat. Në fakt, këto plane djallëzore, si ajo e dhënies së mefshët me konçesion të 1.000 ha tokë shqiptare, fshehin pas tyre skema të tjera korruptive të qeverisë në ikje e sipër”, vijoi ai.

Sipas përfaqësuesit socialist, qeveria po miraton politika dhe masa që japin përfitim vetëm për “familjen” e saj dhe jo për shtresat në nevojë; shtresa që mbajnë mbi kurriz abuzimin dhe përfitimet masive të qeverisë që sot po punon për pensionin e saj.

“Qeveria nuk po ndërmerr asnjë nismë në dobi të banorëve në fshat në këtë vit të vështirë kur dhe dërgesat e emigrantëve janë në rënie: Asnjë masë për të siguruar mbijetesën e tyre. Ndërkohë, ajo vetëm sa ju mbush lugën bosh me përrallat për një superfuqi ulliri në rritje dhe për një begati të pashoq pas 10 vitesh”, tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›