Pronat, shkrihen muret e AKKP-së dhe ZRPP-së
Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje nga Ministria e Drejtësisë që të shqyrtojë një për një të gjitha procedurat e bashkëfunksionimit mes Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, si dhe të ndërhyjë në Kodin Civil në funksion të saktësimit të zbatimit të kontratave. Z. Berisha mblodhi dje Task Forcën për Reformën Rregullatore. Në këtë mbledhje u shqyrtua gjerësisht e gjithë problematika dhe rekomandimet e Doing Business mbi klimën e biznesit në Shqipëri. Nga problemet e rëndësishme që rrjedhin mbi klimën e biznesit janë pagesa e taksave lokale dhe përshpejtimi i procedurave online për pagimin e tyre, përfundimi i planeve urbanistike të qyteteve të vendit, adaptimi i kontratave tip dhe shkrirja e mureve mes Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Kryeministri Berisha kërkoi që Ministria e Financave të lëshojë udhëzime të reja mbi pagesën e taksave lokale, si dhe detyrimin që ato të paguhen vetëm online. Gjithashtu, Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit që të kërkojë sjelljen e Planit Urbanistik të Tiranës në KRTSH për miratim, si dhe kërkoi shpejtimin e përgatitjes së planeve urbanistike të qyteteve të mëdha të vendit, si një kusht përcaktues për përmirësimin e klimës së biznesit.