E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, Berisha: PS-ja dëmshpërbleu gjyqtarët e Kushtetueses



Kryeministri Berisha u bën thirrje trashëgimtarëve të PPSH-së në opozitën e majtë që të ndërgjegjësohen dhe t’u kërkojnë falje shqiptarëve për krimet e komunizmit. Në Ditën Kombëtare të Qëndresës së Viktimave të Krimeve të Komunizmit, Berisha i bëri apel PS-së që të distancohet nga e shkuara duke kontribuar në hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Kreu i qeverisë theksoi se një mirënjohje të thellë meritojnë të gjithë ata persona të cilët në shkurtin e vitit 1991 rrëzuan bustet e gjalla. Kryeministri i vendit komentet i bëri ndërsa vizitoi ekspozitën e çelur në ambientet e Muzeut Kombëtar në nderim të viktimave të krimeve të komunizmit. Berisha vuri në dukje se "procesi i ndarjes së Shqipërisë nga krimet e komunizmit është i pandalshëm dhe i parikthyeshëm, por asgjë nuk dëmton më shumë këtë proces, në rast se udhëhiqet nga hakmarrja". Ai akuzoi se “ata që firmosën burgimin dhe internimin e dhjetëra mijëra shqiptarëve dhe që i ndëshkuan në mënyrë simbolike nga ligji i dënimeve të krimit kundër njerëzimit, pra u dëmshpërblyen nga PS-ja e cila dha dënimin më të madh të saj, dha dënimin më të madh të paqes sociale në vend që të marrë përsipër të kërkojë të falur dhe të distancohet nga kjo e shkuar tmerrësisht e rëndë dhe e hidhur për kombin dhe vendin”, - tha z. Berisha. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës "Nderim Viktimave të Sistemit Komunist", Kryeministri pranoi se "në disa aspekte, Shqipëria është vetëm në fillimin e procesit të dënimit të krimeve kundër njerëzimit, një proces jetik dhe i domosdoshëm për paqen sociale të këtij kombi". Sërish sot, pas 18 vitesh, Berisha theksoi: "Ata që shërbyen si hanxharë të diktaturës dhe që urdhëruan dhe firmosën varje dhe zvarritje, janë në segmente të caktuara të pushtetit". Dhe kjo, sipas kreut të qeverisë "ndodhi nga ata që shërbyen si hanxharë të krimeve kundër njerëzimit dhe nga Partia Socialiste, e cila në dëmin më të madh të paqes sociale në vend, nuk merr përsipër të kërkojë të falur dhe të distancohet nga kjo e shkuar tmerrësisht e rëndë dhe e hidhur për kombin". Sipas Kryeministrit "pezullimi i ligjit të lustracionit nga një grup personash në konflikt të plotë interesi dhe subjekt parësor i veprimit të ligjit, ka lënë një brengë të thellë te të gjithë shqiptarët". Duke shprehur vendosmërinë për ta çuar deri në fund këtë proces, Kryeministri ftoi shqiptarët "të kenë mirëkuptim, pasi ky proces është i pandalshëm dhe i parikthyeshëm". "Ky proces do të ecë gjithnjë brenda rregullave të shtetit ligjor. Ju të parët i dhatë kombit dhe vendit leksionin më të madh. Në asnjë rast dhe rrethanë, nuk i lejuat vetes të rrëmbeheni nga hakmarrja, sepse asgjë më shumë nuk do të dëmtojë qëllimin tonë, sesa në rast se ne shndërrojmë një proces të tillë në hakmarrje", - u shpreh Kryeministri Berisha.

Topalli: 20 shkurti, memoria për viktimat e komunizmit

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, konsideroi dje në konferencën “20 shkurti – Triumfi i Lirisë”, dita kur ranë mitet e diktaturës, se kjo datë është memorie për gjithë shoqërinë në nderim të viktimave të komunizmit. Sipas saj “20 shkurti është një ditë që, në memorien tonë na kujton përqethjet që kemi përjetuar, duke parë jo vetëm rrëzimin thjesht të një busti, por rrëzimin e një miti monstruoz, përfundimin e një diktature, të historisë më të zezë, që ne si shqiptarë kemi pasur historinë tonë dymijëvjeçare. 20 shkurti është ditë që mbetet përmbi historinë”. Gjatë konferencës, folën edhe drejtuesi i grupimit “Dhjetori ‘90”, Bislim Ahmetaj, drejtori i Institutit të të Persekutuarve Politikë, Simon Miraka, drejtuesit e shoqatave antikomuniste të të persekutuarve, Gëzim Qendro, të cilët vlerësuan se kjo ditë duhet të nderohet nga shoqëria shqiptare.

Ish-të përndjekurit: Votë për PD-në nëse dëmshpërblemi

Të përndjekurit kushtëzojnë votën e tyre ndaj PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit nëse qeveria nuk i dëmshpërblen ata për vitet e burgut deri me 31 mars. Sipas z. Besim Ndregjoni, kjo kategori nuk do të tolerojë shtyrjen e afatit me ligje të tjera shtesë që kanë të bëjnë me dëmshpërblimin e viteve të burgut. "Nuk ka asnjë të drejtë qeveria të ndalojë ligjin e dëmshpërblimit. Në qoftë se në bazë të ligjit këto nuk e zbatojnë vendimin, atëherë dhe ne do t’u përgjigjemi këtyre me ligj si shkelës të ligjit", - theksoi Ndregjoni. Një kusht tjetër që do të përcaktojë destinacionin e votës së ish-të përndjekurve politikë, është dhe përafrueshmëria e tyre në Parlament. "Qeveria duhet të jetë në partneritet me ne nëse do të marrë votën tonë. Ne votën kësaj radhe si të përndjekur politikë, si pronarë do ta japim duke i paraqitur partneritetin qeverisë, duke i paraqitur kandidaturat tona", - u shpreh z. Ndregjoni. Pak kohë më parë mazhoranca dërgoi në Kuvend një draft që parashikonte zgjerimin e rrethit të përfituesve nga dëmshpërblimi. Por Ministria e Financave e kundërshtoi për shkak të faturës financiare shtesë.

Rrëzimi i bustit, Topi jep medaljet e kontributit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nderoi dje kontributin e veçantë të disa personaliteteve dhe institucioneve për rrëzimin e simboleve të komunizmit në Shqipëri. Topi dha dje medalje për 14 personalitete dhe institucione të vendit, për kontribut të vyer në përmbysjen e simboleve të komunizmit dhe vendosjen e demokracisë shqiptare. Presidenti i Republikës u dorëzoi Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë “Medaljen e Artë të Shqiponjës” me motivacionin: “Për kontribut të çmuar në Lëvizjen Demokratike dhe veçanërisht, në protestën e qytetarëve të Tiranës të 20 shkurtit 1991 për përmbysjen e simboleve komuniste, si moment i rëndësishëm në ndryshimet progresive në vend”. Me “Medaljen e Mirënjohjes”, kryetari i shtetit dekoroi Qendrën Shqiptare për Rehabilitimin e Viktimave të Traumës dhe të Torturës me motivacionin: “Për kontribut të vyer, në rehabilitimin e ish-të përndjekurve politikë të mbijetuar nga traumat dhe torturat e regjimit komunist, të pjesëmarrësve në protestën e 20 shkurtit 1991 dhe mijëra refugjatëve kosovarë gjatë krizës humanitare të Kosovës”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›