E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSD, Bejtaj: Përshëndesim deklaratën e KE-së për Dosjet

>PSD-ja e ka përshëndetur deklaratën e KE të bërë nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm Terry Davis, në të cilën thuhet se ligji i dosjeve, i cili hyri në fuqi para 2 ditësh, pasi nuk përmbush shumë kritere të vendosura nga Këshilli i Evropës, tha sot në një konferencë Engjëll Bejtaj, nënkryetar i Partisë Socialdemokrate. Më tej Bejtaj tha se, sipas Devis mospërputhjet e ligjit të dosjeve me standardet e KE janë konkluzionet e analizës së këtij ligji nga ana e ekspertëve të KE-së. Gjithashtu ai shprehu se, PSD vëren se kundërshtitë e shprehura nga ana e KE për ligjin e dosjeve, janë të njëjta me ato të shprehura nga ana e PSD në seancën parlamentare ku u diskutua ky ligj. Shtrirja tepër e gjerë dhe e papërcaktuar e ligjit përsa i përket kategorisë së zyrtarëve, fakti që ligji përfshin persona që aktualisht janë në detyrë dhe mungesa e një limiti kohor janë vërejtje të cilat ne, PSD, i kemi bërë prej kohësh dhe njëkohësisht janë thelbi i deklaratës së KE, nënvizoi Bejtaj. Më tej ai tha se, Miratimi i këtij ligji nga ana e mazhorancës është një aventurë e vërtetë politike që e fut Shqipërinë në një konflikt të hapur me demokracinë në tërësi dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë me SHBA, BE, dhe me institucione të rëndësishme ndërkombëtare që punojnë për mbrojtjen e demokracisë. Ndër të tjera ai tha se vlerësojmë se: qëllimi i vërtetë i këtij ligji nuk është dënimi i krimeve të komunizmit, por është mbulimi i krimeve të bëra në këto vite të qeverisjes së Sali Berishës dhe shpurës së tij; siç është krimi monstruoz i Gërdecit, si dhe korrupsioni gjithnjë e më shumë në rritje i kësaj mazhorance, tha Bejtaj. Nënkryetari i PSD-së, tha se, duke neglizhuar çdo thirrje për arsye dhe respektim të normave dhe parimeve themelore të demokracisë në hartimin dhe miratimin e këtij ligji, Sali Berisha së fundi  dje deklaroi shkrirjen edhe të Gjykatës Kushtetuese, nëpërmjet thirrjes që i bëri anëtarëve të këtij institucioni që të mos guxojnë të merren me ligjin e dosjeve, pasi kanë konflikt interesi. Kjo do të ishtë e patolerueshme edhe për një demokraci të modelit afrikan. Kjo vërteton edhe njëherë që deklaratat e Berishës për zgjedhje të lira dhe demokratike, sipas standardeve evropiane, janë vetëm demagogji. Ligji i dosjeve që me hyrjen e tij në fuqi ka cenuar rëndë standardin e zgjedhjeve të ardhshme, ende pa u zhvilluar ato. Kjo përbën edhe një nga kundërshtitë themelore të deklaratës së KE ku thuhet se lustracioni nuk duhet të aplikohet mbi kandidatët në zgjedhje.   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›