E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSE DESHTUAN GAZETARET PERBALLE RAMES

Përtej të majtës dhe të djathtës, i futur si slogan rishtas në politikën shqiptare nga Edi Rama, ka gjallur një reaksion ilaritues te mazhoranca, po dhe te një pjesë e analistëve që jo domsodoshmërisht mbështesin Berishën, por që janë kritikues të Edi Ramës, thjesht pse ai nuk ka mbetur rebeli i viteve ‘90. Logjika ta donte që në "Top Story-n" e fundit të analizohej slogani dhe të pyetej Edi Rama çfarë kupton ai me këtë ide, dhe si ka ndërmend ta implementojë nesër në qeveri nëse vjen në pushtet. Nëse kjo nuk ndodhi, nuk është faji i Ramës po i gazetarëve, që vetë pyesnin, vetë përgjigjeshin dhe vetë arrinin në konkluzionet përfundimtare, duke i vënë vulën që ky slogan nuk vlen dhe nuk funksionon në Shqipëri. Madje, sipas tyre, s‘ka asnjë lidhje me atë të Obamës. Në fakt, vetëm nga një vështrim i shpejtë, duke parë realitetet politike në Shqipëri dhe Amerikë, kupton që shqiptarët janë ata që janë ndarë si me thikë, për dy dekada, në të djathtë dhe të majtë, që madje janë vrarë dhe në rrugë për të ashtuquajturat bindje politike. Amerika është shumë më e zbutur në këtë drejtim dhe njerëzit e pranojnë më lirshëm njëri-tjetrin pavarësisht bindjeve politike. Madje ka shembuj gati idealë si ai i guvernatorit të Kalifornisë, Shvarceneger që është republikan dhe bëri fushatë për McCain, dhe gruas së tij, mbesë e ish-presidentit Cennedy, një demokrate e flaktë që doli në tur përkrah Obamës. Kur e pyetën Shvarceneger se si po e përballon këtë situatë tha që: "kur u martova me gruan time u betova që do ta dua kur të jetë mirë dhe kur të jetë sëmurë, dhe kjo është sëmundja e saj". Kaq sa për të ilustruar se amerikanët ishin dhe pa Obamën, përtej të majtës dhe të djathtës. Shkurt nëse ka një kuptim real kjo ide dhe një vend ku duhet praktikuar, ajo ka më shumë se kudo në Shqipërinë e polarizuar deri në tavolinat e bukës. Por fatkeqësisht nuk e dëgjuam Edi Ramën të shtjellonte idenë e tij dhe, në mos të bindte gazetarët që e paragjykuan çdo fjalë e çdo germë të tij ende pa e nxjerrë nga goja, të paktën duhej t‘i jepej mundësia t‘u tregonte shikuesve se ç‘është kjo ide dhe çfarë do sjellë nesër në panoramën politike e shoqërore shqiptare. Gazetarët nuk ishin të interesuar. Arsyeja pse mendoj se ata dështuan përballë Ramës dhe kjo jo për herë të parë, ka të bëjë me mënyrën si sillen ata përballë kryetarit të PS-së. Po, është e vërtetë që e kaluara e Ramës dhe e këtyre analistëve, është takuar diku, dikur, në një pikë të përbashkët, kur botonin në një shtyp të përbashkët, ndaj kundërshtarit të Ramës sot, Sali Berishës. Kjo nuk do thotë se pas 3 mandatesh të fituara nga Edi Rama si kryetar bashkie i Tiranës, pas marrjes së kreut të Partisë Socialiste, dhe pas kaq viteve si pjesë aktive e politikës shqiptare, ai dhe analistët janë në të njëjtën pikë si në mes të viteve ‘90. Të jesh gazetar në profesion është një zgjedhje personale, të jesh politikan, është një zgjedhje e njerëzve që kanë votuar për ty dhe ky është dallimi kryesor mes gazetarëve dhe Ramës sot. Po edhe sikur shitës cigaresh të kishte qenë Rama para 20 vjetësh, sot është në një pozicion të dyfishtë si kryetar dhe është lideri përballë Sali Berishës. Në fakt, gazetarët përballë Ramës u dukën si kryetarë partish kundërshtare dhe ky mendoj se është një defekt serioz profesional. Defekti i dytë po kaq serioz, është mungesa e etikës dhe kulturës minimale, jo më profesionale kësaj radhe, por asaj qytetare. Të quash mashtrues dhe gënjeshtar kryetarin e opozitës, nga pozitat e një gazetari që përpos nuk ka as fakte në dorë, kjo vetëm në Shqipëri ndodh. Fatmirësisht shqiptarët nuk hanë bar, ata kanë mundësi të shohin përmes ekraneve edhe figura gazetarësh të botës, legjenda mediatike që kur vihen përballë një politikani i çfarëdolloj rangu qoftë ai, kurrën e kurrës nuk sillen në këtë mënyrë. As që bën vaki të artikulojnë akuza pa fakte, bëjnë pyetjet dhe cilado qofshin përgjigjet, janë përgjigjja e tij. Po të paktën e lënë të përgjigjet,. Akoma më e rëndë bëhet kjo situatë për sytë e shikuesve shqiptarë, po të krahasosh pamjet kur analistët janë përballë Kryeministrit të Shqipërisë, ku gati me përulësi, përtypen dhjetë herë dhe pasi kanë vënë dhe një buzëqeshje të pafajshme në fytyrë, bëjnë sikur pyesin Kryeministrin. Dhe vini re, nuk i thonë psh: zoti Berisha, ka një dosje për Fazlliçin që pastron paratë përmes studios së vajzës suaj në Shqipëri dhe këto janë fakte prokurorie, por i thonë "zoti Berisha opozita ju akuzon për këto histori". Gjithmonë opozita, gazetarët asnjëherë edhe pse me fakte tronditëse nëpër duar siç është famëkeqi Gërdec. Dhe pyetja në këtë rast është e nivelit; "zoti Kryeministër çfarë mendimi keni për Gërdecin?" A thua se Berisha ishte një vizitor rastësor, që në atë moment i ra rruga nga Tirana dhe dëgjoi dhe ai shpërthimet si gjithë të tjerët.

Po përmend këto dy shembuj për të cilat prokuroria ka fakte dhe dosje, po ka dhe të tjera pafund, edhe nga ato që s‘kanë nevojë për prokurorinë, sepse kanë të bëjnë me jetën e përditshme të shqiptarëve. Që ndonëse gazetarët e Tiranës mund të mos e dinë ku është katandisur, (megjithëse është kryekëput puna e tyre ta dinë), të paktën Edi Rama e ka parë, prekur dhe dëgjuar nga afër. Edhe sikur asgjë tjetër të mos kishte bërë në krye të PS-së këto 4 vjet, kjo vlerë e rrugëtimit nëpër Shqipëri duhej t‘i njihej. Jo vetëm si një risi në politikën shqiptare, ku politikanët i mësojnë ca skuta të Shqipërisë vetëm në prag zgjedhjesh, por edhe si një model i ri që e çon politikën derë më derë dhe që e bën atë një shërbim publik. Por edhe në këtë pikë gazetarët u ngërdheshën. Sepse në rolin që e vunë veten si kryetarë partish pa parti, mendojnë që edhe kjo nuk është gjë e mirë. Madje kanë kritika si po e drejton partinë Rama dhe kanë sugjerimet e tyre si duhet drejtuar partia dhe si duhet bërë opozita. Sugjerimi im tani është që kur të hyjnë në politikë, (madje siç u tha dhe Rama mund të konkurrojnë dhe për vendin e tij), le ta shpalosin programin dhe idetë e tyre. Sot, për sa kohë janë në gazetari dhe të zgjedhur në një panel për të pyetur Ramën, le ta pyesin atë për idetë e tij. U pëlqejnë a jo, le ta analizojnë më pas, por të paktën duhet t‘i japin mundësinë të përgjigjet pa e përqeshur dhe pa e quajtur mashtrues. Në fakt, besoj që sikur Rama të jetë nesër Kryeministër, gazetarët do dinë të sillen me edukatë dhe ndaj tij. Por është turp dhe mësim i keq për publikun, t‘i tregosh që respekton dhe përulesh vetëm para pushtetit. Nga ana tjetër cubllëku që i karakterizon gazetarët shqiptarë përballë Ramës, është vlerë e Ramës dhe jo e tyre. Trimërinë duhet ta tregojnë me pushtetin.

Them është vlerë e Ramës, sepse ai vetë i ka inkurajuar dhe trajtuar në atë mënyrë sa mund të pyesin dhe thonë ç‘të duan. Por duket se kjo është keqkuptuar. Dhe sot paradoksalisht jemi në situatën kur kemi akuza të vërteta me dosje të hapura për qeverinë, por që gazetarët nuk i artikulojnë dot se kanë frikë nga gogoli Kryeministër. Kemi dhe akuza në hava kurrë të vërtetuara ndaj Edi Ramës, që gazetarët jo vetëm i artikulojnë me qejf të madh, po i vënë dhe vulën e vërtetësisë, si për shembull akuza se Rama është peng i Berishës. Ku, si, pse, për çfarë? Nëse ndokush nuk i jep dot përgjigje këtyre pyetjeve, as që duhet ta marrë guximin ta shqiptojë si të vërtetë dhe të mirëqenë.

Dhe meqë "Top Story" u hap me akuzat për jetën private që i vijnë Ramës përtej të majtës dhe të djathtës, sigurisht që kryetari i PS-së pati një mundësi të shpjegohej. Nga analistët këto akuza u quajtën normale dhe sipas tyre, kështu ndodh dhe në botë. Në fakt, rasti i fundit fare i freskët që vërteton tërësisht të kundërtën, është ai i zgjedhjeve në SHBA. Obama këtu e 20 e ca vjet më parë ka marrë drogë rrugëve të Çikagos, dhe këtë e ka treguar në librin e tij. Por John McCain jo vetëm që nuk ia përdori kundra, por edhe kur një gazetar ekstremist konservator filloi të mbushte emisionet e tij radiofonike me këtë fakt, McCain edhe pse e dinte se po humbte vota, deklaroi se e denoncon këtë veprim dhe se distancohet ndaj kujtdo që komenton për keq jetën private të Obamës. Ja vlen të theksohet gjithashtu, që nuk është periferike në politikën shqiptare goditja e kundërshtarit politik nga familja. Ajo sot është bërë qendra dhe balli i fushatave elektorale. Nuk ka si të jetë periferike, kur zëdhënësi i PD-së dhe qeverisë del në konferenca shtypi enkas dhe vetëm me deklarata të tilla. Dhe jo vetëm kaq, por vetë Kryeministri para ca ditësh në një emision televiziv, me gojën plot dhe pa pikë turpi për moshën dhe kanunin që përfaqëson, fliste për orgji të filmuara. Po kjo nuk u bën shumë përshtypje gazetarëve, ajo që i shqetëson pa masë është publicistika e ashpër e Ramës në fillimvitet ‘90, apo veshja e tij me kostum serioz pasi u bë kryetar i Partisë Socialiste.

Po në këtë kontekst, më duket fare jonormale kur i kërkohet llogari kryetarit të opozitës pse ka ndryshuar. Duket sikur analistët shqiptarë në radhë të parë, kanë frikë nga ndryshimi dhe nga idetë e reja, duket sikur ata janë peng i të kaluarës. Dhe s‘ka si të jetë ndryshe kur janë shumica e tyre që ndihmuan Berishën të vijë në pushtet, meqë e djathta s‘kishte dhe s‘ka akoma asnjë alternativë tjetër. Dhe në mënyrë fare të hapur vajtojnë sot për ish-Partinë Socialiste të Nanos, një han pa dyer, që drejtohej ose nga mejhanet ose nga kazinotë. Madje, në këtë pikë u duk sikur debati me kryetarin aktual të PS-së u ndez më shumë, sepse u duk sikur e kapën me presh në duar, pse ai nuk po bën sot, atë që kishte thënë para se të hynte në PS. Por para se të pyetet Edi Rama pse e ndryshoi PS-në, duhet t‘i përgjigjen pyetjes: a duhej ndryshuar PS-ja? Dhe pasi t‘i kenë dhënë përgjigje kësaj pyetjeje duhet t‘i përgjigjen tjetrës: çfarë ndryshimi duhej bërë, radikal apo sa për makijazh? A nuk janë po këta analistë që kritikonin pareshtur partinë që katandisi Nano? Që avujt e alkoolit i çonte në KPD, ku pasi i quante të gjithë hajdutë, të nesërmen kur bëhej esëll i merrte në qeveri? Epo të quhet kjo demokraci e brendshme, është njësoj si të quash atë që bën Berisha tash e 18 vjet, demokraci e kulluar. Kjo në fakt vjen ngaqë këto dy lloj variantesh "demokracish" kanë njohur shqiptarët deri më tani. Por po t‘i nxjerrësh nga konteksti shqiptar, dy modelet e sipërpërmendura, do shohësh që ajo e Berishës, është komunizëm i deformuar, dhe ajo e Nanos ishte deformim i demokracisë, deri në shthurje, që nuk ka besoj emër as në fjalorin politik për ta përshkruar.

E fundit pikë e debatit ishte rreth kandidimit apo jo të Ramës në zgjedhjet e ardhshme, dhe mospërgjigjja e tij direkte u ironizua si një frikë e tij për të rriskuar. Mendoj që kjo pyetje do kishte vend, sikur Rama të ishte një njeri që nuk ka kandiduar kurrë dhe nuk është votuar kurrë nga askush. Pyetja bie bashkë me ironinë, sepse Rama sot është një nga politikanët më të votuar shqiptarë, ka garuar dhe fituar tri herë, me një numër rekord votash, ndoshta me shumë nga çdo deputet në Parlamentin shqiptar.

Sot gjithashtu ai po përpiqet të jetë nismëtar dhe të përçojë një frymë dhe logjikë politike që përfshiu Amerikën dhe botën. Mendoj që sapo kemi humbur një shans të dëgjonim detaje në "Top Story" për variantin tonë shqiptar.

Dikur media ishte pararojë e ndryshimeve në vend, ishte pa diskutim një apo dy hapa para të gjithëve, kryesisht politikës. Sot fatkeqësisht nuk është kështu, por ky nuk është as faji, as problemi i Ramës. Aq më pak dështimi i tij.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›