Basha i sigurt: “Liberalizim në korrik”
Autori i Lajmit: RedaksiaQeveria e djathtë është e bindur se liberalizimi i vizave do të ndodhë në korrik të vitit të ardhshëm. Pohimi është bërë dje nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Në një intervistë për TCH ai ka pohuar se Shqipëria tashmë i ka bërë detyrat e saj të shtëpisë dhe pret vetëm të marrë notën nga Brukseli. Ai ka shpjeguar më tej punën e bërë gjatë këtyre dy viteve ku me rëndësi është baza e të dhënave elektronike, prodhimi i pasaportave biometrike apo kontrolli i kufijve, çka kanë qenë dhe si kushte për këtë proces, ndërsa ka kritikuar deklaratat e socialistëve për vonesa të procesit.
Konfirmimi
“Nga ana teknike presim dhe dy misione të Bashkimit Evropian, për të verifikuar dy blloqe të tjera, pas verifikimit që u bë në mes të dhjetorit për sigurinë e dokumenteve, verifikim i cili, në bindjen e ekspertëve tanë kaloi jashtëzakonisht mirë. Ndërsa nga ana politike mund tju them që sot Shqipëria ka plotësuar të gjitha kriteret themelore për heqjen e vizave”, - u shpreh Basha. Më tej ai përmendi me detaje punën e kryer nga Qeveria shqiptare brenda 2 viteve, që kur u hap procesi i liberalizimit të vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ministri i Brendshëm tregon sesi Shqipëria krijoi bazën e të dhënave elektronike për shtetasit shqiptarë, sistemin e prodhimit të pasaportave biometrike, sistemin e kontrollit të kufijve në lidhje on-line mes 24 pikave kufitare të Shqipërisë dhe lidhjen e tyre brenda 2 sekondave me Interpolin për të verifikuar çdo automjet apo person që kalon kufirin drejt zonës “Shengen”. Të gjitha këto janë kriteret për tu klasifikuar në listën e vendeve pa regjim vizash dhe në këtë aspekt, kur gjithçka ka filluar nga zero dhe është ngritur brenda një harku kohor 2-vjeçar, sipas ministrit të Brendshëm, Partia Socialiste nuk ka as të drejtë morale për tu ankuar për vonesa në këtë proces. “Mbyllëm një hendek të krijuar nga keqqeverisja socialiste, por edhe një hendek të krijuar nga paraardhësit ideologjikë të atyre që sot anatemojnë këtë proces jetik për shqiptarët. Opozitës dhe zërave kritike do tu thosha që të japin një kontribut pozitiv në këtë proces. Deri më sot i kemi parë të lobojnë aktivisht kundër liberalizimit të vizave në Tiranë dhe Bruksel, pasi e cilësojnë këtë projekt dhe realizimin e tij si një sukses ekskluziv të kryeministrit Berisha apo të mazhorancës të udhëhequr prej tij dhe jo si një domosdoshmëri për të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve të tyre politike. Në të njëjtën kohë u bëj thirrje të hedhin një hap pozitiv në drejtim të elementit kryesor të procesit. Nuk kemi parë akoma asnjë zyrtar të lartë të PS-së të bëjë thirrje të hapur për marrjen nga qytetarët të pasaportave biometrike apo të shkojnë vetë ti marrin ato”, - u shpreh Basha. Por me gjithë atë që e quan qëndrim refraktar dhe kompleksiv të opozitës ndaj këtij procesi, ministri Basha thotë se deri më sot regjistrohen 350 mijë aplikime për pasaporta biometrike dhe me këtë ritëm deri në fund të shkurtit, kur pritet edhe misioni i fundit verifikues nga Brukseli, Shqipëria do të ketë numrin më të lartë të pasaportave biometrike në rajon. Zoti Basha u përgjigjet edhe dy pyetjeve të tjera më të rëndësishme për kohën kur do të ndodhë lëvizja pa viza dhe për dokumentet që do ti duhen një shqiptari për të lëvizur pa vizë. “Pajisja me një pasaportë biometrike është i vetmi kusht. Me një të tillë çdo shqiptar i drejtohet pikës kufitare të vendit dhe lëviz i lirë drejt zonës Shengen”, - u shpreh Basha. Ministri theksoi se parashikimi politik është se vendimi merret brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm dhe shqiptarët të lëvizin të lirë në zonën “Shengen”, shumë shpejt pas kësaj. “Teknikisht, mund tu them me bindje të plotë, si ministër i Brendshëm, se Shqipëria sot ka plotësuar të gjitha kushtet dhe disa prej kushteve janë avancuar. Presim verifikimin", - u shpreh Basha.
Ky lajm është publikuar: 27/12/2009