Festat e fundvitit, Topalli feston me fëmijët jetimë në Kamëz
Autori i Lajmit: RedaksiaKryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, me rastin e festave të fundvitit, ka festuar dje me fëmijët jetimë të Bashkisë Kamëz. E rrethuar nga fëmijët, Kryetarja e Kuvendit tha se asnjëherë nuk ndihet më e gëzuar e më e lumtur se sa në të tilla momente feste e hareje e kur sheh fëmijë që u gëzohen festave. “Gëzimi i një fëmije nuk ka çmim. Fëmijët nuk pushojnë kurrë së qeni fëmijë. Nuk ka gëzim më të madh sesa buzëqeshja e fëmijës tënd. Unë ndjej gëzim e kënaqësi kur flas me fëmijët. Ata nuk më gjykojnë, nuk kanë nevojë, ata duan vetëm të gëzojnë. Të gjithë duhet të lexojmë sytë e fëmijëve”, - tha Kryetarja e Kuvendit. Duke i ftuar të gjithë fëmijët të vijnë në Parlament ajo tha se dera e Parlamentit është e hapur për të gjithë fëmijët, sepse është shtëpia e të gjithë shqiptarëve. Ajo i uroi fëmijët ti kalojnë këto festa gëzueshëm, të rriten fëmijë të mirë, të shëndetshëm, të gëzueshëm gjithmonë, të lumtur e në paqe. Një falënderim të veçantë Kryetarja e Kuvendit i përcolli gjithë stafit të mësuesve të fëmijëve si edhe stafit të Bashkisë, për përkushtimin dhe punën e tyre, duke i uruar ata për një vit të ri plot shëndet e mbarësi.
Ky lajm është publikuar: 27/12/2009