E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksploziv në derë avokatit, asnjë të lënduar

11/03/2010 Dëmtime të mëdha në banesën e objektivit si dhe të apartamenteve përballë

Policia deklaron se pista e hetimit është atentat për shkak të detyrës

SHKODER- Shpërthimi i një lënde plasëse ka tronditur banorët e lagjes “Parrucë”, ndërkohë që ka tmerruar banorët e një pallati 4-katësh të kësaj lagjeje në një prej rrugëve kryesore të qytetit të Shkodrës. Lënda plasëse ka shpërthyer në derën e jashtme të apartamentit të një avokati, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe brenda banesës. Ndërkohë presioni i eksplozivit ka dëmtuar dhe apartamentet e tjera të pallatit. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30 të natës së martë në derën e jashtme të apartamentit të avokat Gjon Leprit. Brenda banesës ka qenë avokati 38-vjeçar si dhe gruaja e tij së bashku me dy fëmijët. Fillimisht banorët e pallatit të tmerruar nga shpërthimi ka lajmëruar zjarrfikësen, pasi mendonin se u kishte shpërthyer bombola e gazit, por forcat e policisë kanë konstatuar se bëhej fjalë për vendosje të një lënde plasëse në derën e avokat Leprit. Presioni i shpërthimit kishte shkatërruar jo vetëm derën e jashtme të blinduar të banesës ku ishte vënë, por kishte hedhur në tokë suvatë brenda dhe jashtë mureve, kishte çarë tubat e ujësjellësit, si dhe kishte shkulur dhe flakur në rrugë dritaret. Ndërkohë shpërthimi kishte shkulur dhe dyert e dritaret e apartamenteve përballë, poshtë e lart atij të avokatit Gjon Lepri. Fatmirësisht asnjë anëtar i familjes Lepri dhe as të familjeve të tjera të pallatit nuk kanë pësuar dëme. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë forca të shumta policie dhe grupi hetimor, i cili ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, si dhe ka filluar hetimet për zbardhjen e shkaqeve të vendosjes së tritolit dhe identifikimin e autorëve në ndihmë të grupit të punës që kanë ardhur nga Tirana dhe specialistë të antiterrorit. Burimet policore shprehen se nga këqyrja e vendit të ngjarjes mendohet se lënda eksploziv e vënë në derën e jashtme të apartamentit të avokat Gjon Leprit ka qenë e tipit Tritol, në sasi prej rreth 500 gramësh. Të njëjtat burime sqarojnë se gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është kontrolluar dhe mjeti i avokat Leprit, që ishte i parkuar poshtë pallatit. Gjatë këtij kontrolli është konstatuar se nuk kishte vendosje të lëndëve plasëse. Burimet policore shprehen se deri tani pista kryesore e hetimit mbetet atentati për shkak të detyrës, që mund të ketë qenë ose për hakmarrje ose paralajmërim për ndonjë çështje që do të mbrohet nga avokat Lepri. Kjo pistë mbetet kryesore, pasi sipas burimeve, avokat Lepri ka deklaruar në polici se nuk kishte asnjë konflikt me asnjë person. Të njëjtët burime shprehen se edhe vetë avokat Lepri ishte i mendimit se vendosja e tritolit mund të jetë e lidhur vetëm me profesionin e tij, pasi nuk kishte asnjë problem, apo shkak tjetër që mund të sillte këtë ngjarje. V. Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›