E Diel, 1 Nëntor 2026

Nxënësit e shkollës “Ali Myftiu” në protestë për koeficientin

11/03/2010 Dekani i Ekonomikut: I dobët niveli i shkollave profesionale

Nxënësit e shkollës “Ali Myftiu” në protestë për koeficientin

ELBASAN- Nxënësit e shkollës profesionale “Ali Myftiu” në degën Ekonomi Banka dhe Tatim-Sigurime kanë vendosur të protestojnë para Fakultetit Ekonomik të Elbasanit për korrigjimin e koeficientit të vendosur për shkollat profesionale nga ky fakultet. Nxënësit kanë kërkuar që profili i tyre natyror të vlerësohet me koeficientin maksimal 1.4 si në të gjitha universitetet e tjera dhe jo 1.2 që nuk i jep atyre mundësinë të vazhdojnë profilin e lartë ekonomik edhe pse mbarojnë 5 vjet në këtë degë. Të rinjtë i kanë nisur një peticion rektorit të Universitetit të Elbasanit dhe Ministrisë së Arsimit. Sipas tyre, koeficienti mund të ndryshojë vetëm nëse këtë e bën dekani i Fakultetit Ekonomik. Pasi kanë zhvilluar një takim me dekanin Albert Delimeta dhe nuk kanë marrë një përgjigje pozitive, të rinjtë kanë kërkuar një takim me Ministrin e Arsimit, Myqerem Tafaj, që pritej të vinte në Elbasan, por kjo vizitë u anulua. Vetë dekani Delimeta u ka shpjeguar nxënësve se koeficienti 1.2 është vendosur për të gjitha shkollat profesionale dhe ai nuk mund të bëjë një përjashtim për shkollën “Ali Myftiu” edhe pse e vlerësoi përgatitjen e tyre. Ai tha se niveli i ulët i shkollave profesionale ka bërë që të vendoset ky koeficient edhe pse dega Ekonomike në këtë shkollë është hapur prej pak vitesh. Fakulteti Ekonomik tha ai është një fakultet i kërkuar dhe do të përzgjedhë edhe studentët më të mirë nga të gjitha shkollat. Ky fakultet ka vendosur koeficientin 1. 4 për gjimnazet në profilin natyror sepse gjykon një përgatitje më të mirë të tyre gjë që është parë në kontingjentin e studentëve që ka pranuar ky fakultet. Ndërkohë të rinjtë pasi kanë dëgjuar shpjegimet e dekanit kanë vendosur t’i drejtohen fillimisht rektorit dhe më pas ministrit të Arsimit. Ata kërkojnë ndryshimin e koeficientit për shkollën profesionale me profil ekonomik nga Universiteti i Elbasanit dhe premtojnë se do të vazhdojnë protestat derisa ky problem të zgjidhet. Sipas tyre, koeficienti i zgjedhur i lë pa shkollën e tyre të preferuar edhe pse tashmë e kanë zgjedhur profilin prej 5 vjetësh. Brunilda Lloshi dhe Erjola Prifti dy prej përfaqësuesve të protestuesve kanë thënë se për shkollën e profilit ekonomik profesional duhet të bëhet një përjashtim dhe koeficienti të rritet. Në fazën aktuale gjimnazistët janë duke u njohur me procedurat e Maturës Shtetërore, pasi kanë plotësuar formularin A1. Dekani Delimeta ka nisur një fushatë takimesh me maturantët e shkollave të mesme për të bërë prezent ofertën e Fakultetit Ekonomik dhe programin e këtij fakulteti.

L. Lleshi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›