E Shtunë, 31 Tetor 2026

KKS, Dika: Rruga evropiane më nuk ndalet



Këshilli Kombëtar Studentor organizoi dje konferencën "Standardet që rrëzojnë murin Shengen” (“20 vjet pas rrëzimit të Murit të Berlinit a po bie dhe muri i fundit Shengen”) në përkujtim të 8 Dhjetorit, ku kreu i KKS-së, Qamil Dika, tha se tashmë asgjë s’e ndal më rrugën evropiane të Shqipërisë. “Standardizimi sa më i shpejtë i çdo strukture në arsim dhe forcimi i lëvizjeve studentore do të lehtësojnë dhe forcojnë një integrim të sigurt për Shqipërinë. Në ndryshim nga bashkëmoshatarët tanë në vitet ‘90 ne jetojmë të lirë dhe kjo, falë tyre, ndaj rruga evropiane për ne s’mund të ndalet. Ne duhet t’i themi ‘po’ çdo energjie transformuese dhe si rojtarë të lirisë dhe të drejtave evropiane çdo student duhet të ndalë regresin e ideologjive kundra integrimit”, - deklaroi Dika. Gjithashtu, këtë debat e ka përshëndetur dhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili ka inkurajuar studentët duke sjellë shembullin e tij personal në përballje me regjimin e ashpër totalitar të komunizmit të instaluar gjatë atyre viteve. Këshilli Kombëtar Studentor ka qenë i pranishëm edhe në koncertin festiv të organizuar në përkujtim të 8 Dhjetorit, ku me mijëra studentë kanë përkrahur dhe përqafuar simbolin e pluralizmit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›