E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSG, jofranceze

Pavarësisht revolucionit që ka bërë me transferimin e yjeve si Zlatan Ibrahimovic e Thiago Silva, qarkullojnë njoftime për përçarje në Paris Saint-Germain. Futbollistët francezë nuk ndihen të dobishëm në skuadër pasi ka takime gjatë të cilave vetëm një prej tyre është titullar. Po ashtu, komunikimi mes lojtarëve përmendet si një problem tjetër që paraqitet në dhomat e zhveshjes së gjigantit nga Parc des Princes.

"Nëse je francez, ke shumë pak mundësi të luash". Kjo është deklarata e një prej futbollistëve të Paris Saint-Germainit që nuk ka dashur të identifikohet, por është bërë publike nga e përditshmja "Le Parisien".

Një frazë që tregon se atmosfera në dhomat e zhveshjes së skuadrës së Carlo Ancelotti është e ndarë nga francezët dhe të huajt, dhe që ka hapur debate të mëdha në vend për një skuadër shumë ndërkombëtare, ashtu siç sugjeronte edhe formacioni kundër Dinamo Kievit në Ligën e Kampionëve ,me vetëm një francez në fushë, Matuidi e që nuk ka një identitet të sajin që pas marrjes nga ana e sheikëve të Qatar.

Zgjedhjet e drejtuesve nga Qatari kanë lënë një shije jo shumë të mirë në ambientet sportive franceze pasi vetëm Jeremy Menez shikohet si francezi që e ka të sigurt vendin e titullarit, pas tij Matuidi, ndërsa të tjerët si Gameiro, Douchez, Sakho, Jallet, Bodmer apo Chantome po e shikojnë gjithnjë e më shumë ndeshjen si spektatorë nga bankina ose tribuna. Realisht, skuadra e PSG-së nuk shikohet si një ambasador i mirë i futbollit francez nëpër botë.

Por problemi më i madh mbetet në dhomat e zhveshjes pasi sipas mediave sportive, disa futbollistë frankofonë janë të detyruar të komunikojnë në italisht, spanjisht apo anglisht, por jo në frëngjisht. Një hipotezë që është hedhur poshtë nga klubi pasi trajneri Ancelotti që nga dita e parë ka vendosur që të komunikohet vetëm në frëngjisht dhe shembulli më i mirë është portieri Salvatore Sirigu që tashmë flet edhe me theks parisien.

Klubi më pas i ka detyruar të gjithë të huajt të kryejnë leksione gjuhe, megjithatë, sipas "Le Equipe", PSG-ja është e ndarë në dysh: francezë dhe garda e vjetër ndaj lojtarëve të rinj. Në fund, gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje sportive, drejtuesit arabë të PSG-së kanë mohuar kategorikisht zërat se kanë filluar kontaktet me Cristiano Ronaldon dhe Jose Mourinhon për transferimin e tyre në Paris në verën e vitit të ardhshëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›