E Diel, 1 Nëntor 2026

Në fushë me gjilpëra, Vajushi: Gol për festën

Armando Vajushi

Sulmuesi shkodran, vendimtar në fitoren e Liteks Loveçit në Bullgari.

“Stoiçkovi më futi me frikë. Goli për 100 vjet pavarësi”

Tri gjilpëra për të qetësuar muskujt e shpinës dhe më pas një gol që i jep frymëmarrje Liteksit.  “Një gol për Pavarësinë e Shqipërisë, por vuajta shumë”, rrëfen Vajushi për “Panorama Sport”.
Sulmuesi shkodran i Kombëtares ka qenë vendimtar dje te skuadra bullgare, pasi ka hyrë si rezervë në minutën e 68-të dhe ka shënuar 11 minuta më pas golin që zhbllokoi ndeshjen. Liteksi fitoi 2-0 në transfertë kundër Lokomotivës së Sofies dhe u ngjit në vendin e pestë më 26 pikë.
Armando, pesë gola në kampionat, a e kishit menduar kështu këtë sezon?
Jam i lumtur për ecurinë time dhe më duhet ta pranoj se nuk e kisha menduar kështu këtë sezon. Vitin e kaluar pata shumë vështirësi dhe isha disi nën tension. Për fat të mirë, më ka ndihmuar shumë edhe trajneri Stoiçkov.
Si e shënuat golin dje?
Aksion me shumë pasime dhe në fund gjuajta brenda zonës me shumë forcë. Ishte gol domethënës, por edhe shumë i vuajtur.
Pse?
Ishte domethënës, sepse doja të shënoja në Ditën e Pavarësisë dhe ia arrita. Por ishte i vuajtur, sepse në fushë hyra, pasi kisha bërë tri gjilpëra për të qetësuar muskujt e shpinës.
Pse, çfarë problemesh ke pasur?
Nga ngarkesa kam mbilodhje dhe, një ditë më parë, trajneri Hristo Stoiçkov më çoi në një nga klinikat më të mira të Bullgarisë për vizitë. Do të më duhet të aktivizohem sa më pak gjatë këtyre javëve që të mos ngarkohem. Trajneri më tha se nuk do të më aktivizonte në këtë ndeshje nëse nuk do t’i nevojitesha, por realisht ekipi vuajti shumë, sepse terreni i fushës ishte si një fushë patatesh. Trajneri më pyeti nëse isha në gjendje të përballoja të paktën 20 minuta dhe pranova të hyja.
Nuk patët frikë se mos dëmtoheshit?
Të them të drejtën isha disi i trembur, por kjo zgjati derisa hyra në fushë, më pas nuk mendova më për këtë.
Do të largoheni në janar apo do të qëndroni deri në fund të sezonit?
Trajneri kërkon të më mbajë deri në qershor, sepse më pas është e sigurt se nuk do të jem më pjesë e kësaj skuadre. Nga ana tjetër, drejtuesit janë në bisedime me disa klube gjermane dhe zvicerane dhe po përpiqen që të sigurojnë ndonjë marrëveshje që të përfitojnë sa më shumë. Kjo më bën të mendoj se mund të largohem edhe në janar.
Për çfarë skuadrash bëhet fjalë?
Të them të drejtën nuk e di, sepse nuk më kanë dhënë emër. Nëse iki në janar, ka gjasa të shkoj në ndonjë skuadër gjermane, duke qenë se menaxheri i klubit ka luajtur si futbollist në klube të ndryshme gjermane dhe atje ka lidhjet më të forta. Të shohim.
Çfarë ju tha Stoiçkovi pasi shënuat?
Natyrisht që më bëri komplimente, pasi e dinte se ndeshja u koklavit shumë. Kishin dalë dy futbollistë me të kuq dhe ekipi ynë ishte nervoz.
A ke pasur kontakt me De Biazin apo ndonjë ndihmësin e tij së fundmi?
Jo, deri tani asnjë kontakt. Gjithsesi, jam i bindur se po të vazhdoj kështu, herët a vonë do të kem akoma më shumë hapësira në ekipin përfaqësues.

JETMIR HALILAJ

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›