E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana do dy kosovarë: Mazrekajn dhe Gavazajn

Tirana ka nisur të mendojë për merkaton. Ndoshta ende jo zyrtarisht, por gjithsesi ka filluar të piketojë disa elementë dhe sytë i ka hedhur nga kampionati kosovar. Turneu i fundit i zhvilluar në Vlorë, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, u ka shërbyer kryeqytetasve edhe për “pazarin” e muajit janar. Mentor Mazrekaj dhe Enis Gavazaj janë pëlqyer prej drejtuesve kryeqytetas, konkretisht prej administratorit Salih Tagani dhe trajnerit Alban Tafaji. Për këtë arsye, Tirana ka planifikuar edhe miqësore me Prishtinën, që pritet të luhet në dhjetor. Do të jenë dy të tilla në fakt, një që do të luhet në kryeqytetin kosovar dhe një në Shqipëri. Këtë e konfirmoi edhe vetë trajneri Tafaji, i cili për “Panorama Sport” tha: “Na lanë përshtypje shumë të mira, ishin lojtarë cilësorë, që mund të na bënin punë”.
Talentet – Si Mentor Mazrekaj, ashtu edhe Enis Gavazaj cilësohen si dy talente në Kosovë. I pari, një sulmues i spikatur, është duke kaluar një formë të mirë te prishtinasit. Ai premton shumë, madje këtë e vërtetoi edhe në kupën “Pavarësia”, ku u shpall edhe si lojtari më i mirë i turneut. Madje, Mazrekaj konsiderohet dhe një nga zbulimet e sezonit të sivjetshëm në futbollin kosovar. Sa i përket 17-vjeçarit Enis Gavazaj, ai la gjurmë në Shqipëri-Bjellorusi, pra me Kombëtaren U-19, ku realizoi atë supergol nga 35 metra. Për këtë futbollist, një mesfushor tepër të spikatur, fill pas këtij takimi ka shfaqur interes të hapur presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika. Ky i fundit i bëri ofertë për ta afruar në Vlorë. E thënë ndryshe, bardheblutë nuk do ta kenë dhe aq të lehtë për t’i afruar pasi, veç të tjerave, edhe kushtojnë.

Dushku: Po, më do Flamurtari
Mbrojtësi i Tiranës, Erjon Dushku, pranon se ka pasur një ofertë nga Vlora, konkretisht nga presidenti Shpëtim Gjika. “Ka pasur interesim dhe unë e falënderoj, pasi Shpëtim Gjika është një ndër presidentët më të përkushtuar në kampionatin tonë dhe që meriton respekt absolut. Më josh sigurisht dhe është një opsion që të bën të mendosh, mirëpo për të dhënë përgjigje përfundimtare duhet të vijë janari. Vetëm atëherë do të vendos se çfarë do të bëj, ndaj më mirë t’ia lë kohës, pasi ajo të rezervon mjaft surpriza. Jam nën kontratë me Tiranën, por më duhet të studioj gjithçka. Dihet që bardheblutë kanë pasur problemet e veta dhe unë do të shoh edhe objektivat”, – tha 27-vjeçari, një ndër mbrojtësit më të mirë jo vetëm te 24 herë kampionët, por edhe në Shqipëri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›