PS:Ish-Ministri Bumci i përfshirë në trafikun e armëve
TIRANE- Opozita vijoi sot akuzat ndaj anëtarëve të kabinetit qeveritar për përfshirje në skandalet e shumta të cilat po prekin qeverinë. Nëpërmjet zëdhënëses së Kryesisë Mimi Kodheli Partia Socialiste publikoi sot një tjetër fakt lidhur me përfshirjen e ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumci në trafikun e armëve.
“Aldo Bumci nuk mund ti tregojë opozitës detyrën e saj. Ai duhet ti tregojë prokurorisë se si ka abuzuar me detyrën e tij si ministër i Drejtësisë,nëpërmjet shkresave që i hapën rrugë trafikut të armëve dhe tragjedisë së Gërdecit. Po me aq zell sa Bumci mbështet kryeministrin me aferat e tij duhet të jetë i zellshëm edhe përpara fakteve dhe argumenteve kokëfortë që kanë treguar se abuzimi me detyrën ka qenë një gjë për të cilën ai duhet të përgjigjet”- tha për gazetarët zëdhënësja e Kryesisë PS, Mimi Kodheli.
Nga ana tjetër deputetët e maxhorancës e kanë cilësuar si të pabaza dhe akuzat e opozitës për përfshirjen në korrupsion të qeveritarëve të lartë. Në një prononcim për shtyp deputeti demokrat Aldo Bumci tha se “Rama mund të organizojë mitingje për të shpallur të vrarë qytetarë që kanë vdekur në aksidente automobilistike, mund trë urdhërojë mediat që kontrollon për të shpallur të arrestuar qytetarë të lirë të rajonit, por nuk mund të përdorë institucionet e një vendi të lirë për të hequr makthet e tij”.
Ndërsa deputeti i PDR, Tritan Shehu akuzoi segmente të opozitës se po përpiqen të pengojnë punën e organeve të drejtësisë. Sipas Shehut PS po hedh akuza të pabaza të cilat po pengojnë luftën e vërtetë kundër korrupsionit dhe krimeve të paligjshme.
Një ditë më parë kreu i PS-së Edi Rama i kërkoi prokurorisë të mos vonojë me hetimin për ministrin pa imunitet Lulzim Basha pas të rejave të zbuluara lidhur me mundësinë e përfshirjen e tij në aferat me serbo- boshnjakun Damir Fazlic. Tashmë selia rozë zgjeroi rrethin e personave me pushtet që sipas saj janë përfshirë në trafikun e armëve, i cili lidhet me Fazlic por edhe me tragjedinë e Gërdecit. Sipas socialistëve Bumci është njeriu i cili hodhi firmën për ligjërimin e trafikut të municioneve.
(s.g/a.q/NEWS24/BalkanWeb)