E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi takon Sobotkën: Kërkon liberalizimin e vizave me Cekinë

Presidenti shqiptar Bamir Topi kërkon liberalizimin e regjimit të vizave me Cekinë. Gjatë takimit që zhvilloi sot me kreun e Senatit Çek,Premysl Sobotka shprehu besimin në ratifikimin e Protokolleve për Anëtarësim në NATO nga pala çeke. 

TIRANE- Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në ambjentet e Pallatit të Brigadave, Presidentin e Senatit të Republikës së Çekisë, Premysl Sobotka, si dhe delegacionin, që e shoqëronte në kuadër të vizitës së tij në vendin tonë.

Kreu i shtetit shqiptar dhe Presidenti i Senatit çek vlerësuan në këtë takim marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Çekisë si dhe shprehën interesin e përbashkët për zgjerimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Presidenti Topi theksoi se kësaj do i shërbente në politikë më liberale e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë, duke filluar nga kategori të caktuara si dhe vendosja e një linje direkte ajrore mes dy vendeve tona.

Gjithashtu, në kuadër të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve Presidenti Topi u shpreh për shkëmbimet e ndërsjella të strukturave të ndryshme të dy parlamenteve do të shërbenin dhe për shkëmbim eksperience sa i përket përafrimit të legjislacionit me atë të BE-së në kuadër të integrimit europian. “Shqipëria e vlerëson shumë eksperiencën integruese të Çekisë në BE, dhe e shikon me shumë interes mbështetjen e saj ndaj rrugës së proceseve integruese të Shqipërisë”, – u shpreh Kryetari i Shtetit.

Presidenti Topi vlerësoi mbështetjen që Çekia i dha Shqipërisë për marrjen e ftesës për anëtarësim gjatë Samitit të Bukureshtit, si dhe shprehu besimin në ratifikimin e Protokolleve për Anëtarësim në NATO nga pala çeke duke marrë sigurimin se ky ratifikim do të bëhet brenda muajit tetor.
Nga ana e tij, Presidenti i Senatit të Republikës së Çekisë, Premysl Sobotka,vlerësoi përpjekjet dhe arritjet e Shqipërisë në rrugën e reformimit të gjithanshëm dhe në kuadër të integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.

Sobotka e siguroi Presidentin Topi për mbështetjen e plotë të shtetit çek në drejtim të plotësimit të aspiratave integruese të vendit tonë, duke shprehur njëkohësisht edhe gatishmërinë për të ofruar e ndarë së bashku ide, pikëpamje dhe përvojat integruese si edhe bashkëpunim të gjithanshëm, sidomos nëpërmjet shkëmbimit të vizitave të niveleve më të larta dhe ato mes komisioneve reciproke parlamentare.

(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›