E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSV, makineri e golit

PSV Eindhoven po tregohet një makineri e vërtetë e golit këtë edicion. Skuadra holandeze ka një mesatare mahnitëse prej 3,5 golash në ndeshje, duke e lënë prapa edhe Barcelonën e Messit, e cila është ndalur në 3,30 gola për lojë. Në treshen e parë futet edhe ekipi ukrainas Shakhtar Donetsk (2,94). Nga 49 golat e realizuar deri tash për ekipin holandez kanë kontribuuar 14 lojtarë.

Industria e golit po funksionon si është më së miri. Duke i analizuar 20 kampionatet e para të renditjes së UEFA-s, sigurisht se mund të priten befasi. Për shembull, le të thotë ndokush se ndër ligat e forta evropiane do të priste që ndonjë ekip të jetë i aftë të shënojë gola më shumë se Barcelona.

Nëse i shohim kampionatet kombëtare të kontinentit të vjetër, shohim se listës i prin ekipi holandez Psv Eindhoven, i cili ka një mesatare prej 3,5 golash për ndeshje. Kampioni holandez ndiqet nga Barcelona (3,30) e Shakhtar Donetsk (2,94). Kurse, rekordi i zi shkon për ekipin francez Saint Etienne (1,71), atë çek Jablonec (1,81) dhe skuadrën zvicerane Basel (1,82).

Kampionati holandez gjendet në pozitën e tetë të renditjes së UEFA-s. Mirëpo, konfrontimi me skuadrat evropiane nuk duket të jetë aq i suksesshëm. PSV-ja dhe Twente u eliminuan nga Europa League, ndërsa Ajaxi shpreson të mbetet në këtë eveniment, pas eliminimit nga Liga e Kampionëve.

Kuriozitet i primatit të ekipit të Dick Advocaat është saktësia dhe presioni që u bëhet ekipeve kundërshtare. Nga 49 golat e realizuar nga 14 ndeshje të kampionatit, përpos disa autogolave të kundërshtarëve, shënuesit janë plot 14.

Një kooperativë e golit. Dhe nëse ia shtojmë kësaj se mesatarja e moshës në listën e golashënuesve nuk e kalon numrin 25, në Philips Stadion nuk u mbetet tjetër veçse t’i fërgojnë duart.

Klasifikimi i shënuesve në Eredivisie udhëhiqet nga lojtari i Bregut të Fildishtë, Bony, që luan në Vitesse, e që ka realizuar 15 gola, ndërsa tek PSV prijnë slloveni Matavz dhe belgu Mertens, me nga 7.

Ndërkaq, mesfushorët Wijnaldum e Strootman e kanë gjetur rrugën e golit nga 5 herë. Lojtari i krahut të djathtë, Narsingh ka shënuar 4 gola, kurse nga tri herë kanë realizuar qendërmbrojtësi Derijck, suedezi Toivonen, Locadia e Jeremain Lens.

Kurse, nga dy gola kanë shtuar kanadezi Hutchinson dhe veterani Van Bommel, praktikisht një ikonë e ekipit nga Eindhoven. Listën e shënuesve e mbyllin mbrojtësit Marcelo e Engelaar dhe i riu Depay. Të vetmit që nuk kanë shënuar ende e që kanë luajtur në vazhdimësi janë mbrojtësit Bouma e Willems. Por, shumë shpejt do ta shihni se do të ketë hapësirë edhe për ta...

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›