S’vazhdojnë me Trepçën
Enis Fetahu, Arben Zhjeqi dhe Arsim Plepolli në pjesën e dytë të kampionatit, sipas të gjitha gjasave, nuk do të luajnë më për klubin mitrovicas, Trepça.
Me përfundimin e stinori vjeshtor, të tre këtyre futbollistëve u kanë skaduar edhe kontratat me klubin kampion, dhe vështirë se palët do të arrijnë marrëveshje për vazhdimin e kontratave. Të paktën kështu thonë vetë futbollistët.
“Mua dhe Arbenit na kanë skaduar kontratat me Trepçën dhe nuk jemi të interesuar t’i vazhdojmë. Arsyeja kryesore është largësia e Mitrovicës prej vendit ku jetojmë, Prishtinës. Është vështirë për ne të udhëtojmë çdo dit drejt Mitrovicës, dhe ky fakt është maltretim për ne”, tha Fetahu për Express.
Ndërsa, Zhjeqi tregoi se ai dhe Enisi tashmë kanë marrë oferta nga klube të ndryshme të Superligës së Kosovës.
“Tani, jemi duke marrë oferta prej klubeve të tjera. Pas Vitit të Ri do t’i shqyrtojmë me kujdes ato oferta dhe do të vendosim rreth së ardhmes tonë. Besoj se vendimin që do ta marrim kah fundi i muajit janar, do të jetë i duhur”, tha Zhjeqi.
Ndërkohë, burimet e Expressit kanë treguar se edhe Arsim Plepolli, sipas të gjitha gjasave, nuk do ta vazhdojë kontratën me Trepçën, e cila i ka skaduar sikurse Fetahut e Zhjeqit. Expressi ka provuar të kontaktojë me Plepollin, por kjo ka qenë e pamundur.
Në anën tjetër, trajneri i ‘Xehetarëve’, Nazmi Rama nuk ishte i gatshëm të flasë rreth kësaj çështjeje. “Akoma nuk kam asnjë informacion, sepse deri para pak ditëve unë kam qenë në seminarin e trajnerëve në Tiranë. Kurse, aktualisht kryetari i klubit Nexhmedin Haxhiu gjendet në Turqi”, u shpreh Rama.
Para pak ditëve, nga ekipi gjelbërezi është larguar edhe sulmuesi Afrim Mziu.