E Diel, 1 Nëntor 2026

PTK ndanë 5000 euro për familjet skamnore

Nga Express më 29 gusht 2011 në ora 11:58

Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) ka ndarë një shumë prej 5000 euro për familjet me gjendje të rëndë sociale. Kjo ndihmë e ndarë nga PTK-ja do t’u shpërndahet 100 familjeve me kushte të vështira ekonomike, ndërkohë që Sindikata e PTK-së do të identifikojë familjet që jetojnë në kushte të mundimshme sociale.

Kryeshefi ekzekutiv i PTK, Shyqyri Haxha ka pohuar se për shkak të afarizmit të suksesshëm dhe në shenjë të humanitetit njerëzor, është vendosur që për nder të festës së Fitër Bajramit t’u ofrohet një ndihmë modeste familjeve skamnore në Kosovë.

“Qëllimi është që t’i gëzojmë sadopak ato familje me nevojë, që kjo festë e nderuar mund t’i ketë gjetur në kushte të mjerueshme, prandaj ne si PTK i kemi ndarë një ndihmë të vogël për Festën e Fitër Bajramit”, thekson Haxha.

Sipas tij, PTK do të vazhdojë të ndihmojë kurdo dhe kudo që ka mundësi financiare, natyrisht duke pasur në konsideratë autorizimet ligjore dhe mundësitë financiare.

“PTK është pasuri e Kosovës dhe në raste të tilla festash ndiejmë si obligim që të shprehim solidaritetin tonë njerëzor dhe të japim ndihmë modeste për të zbutur sadopak vështirësitë ekonomike të këtyre familjeve”, është shprehur Haxha, duke shtuar se PTK është në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe me ata i ndajmë jo vetëm shërbimet tona, por edhe humanitetin e përbashkët.

PTK është ndër institucionet që prej dy vitesh ka kontribuar dhe ka ndihmuar më së shumti në Kosovë në aspektin social, human, kulturor, artistik dhe sportiv.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›