E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet mbledhja e Këshillit të Sigurimit

Nga Express më 29 gusht 2011 në ora 11:57

Është shtyre për nesër mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e paraparë të mbahej sot, ku do të diskutohej për raportin e rregullt të sekretarit të përgjithshëm të KB-ve për gjendjen në Kosovë.

Mbledhja e parashikuar të zhvillohej sot, u shty për shkak të motit të keq dhe uraganit "Irene" që ka përfshirë pjesën verilindore të SHBA-së.

I pranishëm në seancë do të jetë edhe shefi i diplomacisë së Kosovës, Enver Hoxha, i cili do të paraqesë zhvillimet pozitive në Kosovë në procesin e rëndësishëm të konsolidimit të shtetësisë dhe në transformimin ekonomik dhe social.

Një pjesë e fjalimit të ministrit Hoxhaj do të përqendrohet edhe në vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e sundimit të ligjit dhe për luftën kundër krimit të organizuar në të gjithë territorin e shtetit.

Në këtë seancë, ministri Hoxhaj do të kërkojë nga Serbia që t’i shpërbëjë strukturat paralele ilegale-shtetërore në Kosovë dhe të heqë dorë nga mbështetja politike për grupe të krimit të organizuar në veri.

Hoxhaj, po ashtu, do të flasë edhe për situatën e fundit të krijuar në veri, pas vendosjes së masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Ai do t’i shpjegojë përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse për dialogun teknik në mes Kosovës dhe Serbisë, për mosgatishmërinë e Serbisë që t’i pranojë vulat e Kosovës në takimin e fundit të muajit korrik dhe për domosdoshmërinë kushtetuese për vendosjen e masave të reciprocitetit.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, ministri Hoxhaj do të takohet me përfaqësues të shumë shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, me diplomatë dhe personalitete të jetës publike, thuhet në komunikatën për media të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

Sekretari i përgjithshëm i KB-ve, Ban Ki-Mun në raportin e rregullt, i cili përfshin zhvillimet në Kosovë nga 16 prilli deri 15 korrik, fton Kosovën dhe Serbinë të përmbahen nga hapat e njëanshëm që mund të rrezikojnë përparimin e arritur në dialogun në Bruksel dhe apelon të mos ketë më ngritje të tensioneve.

Seanca do të zhvillohet nesër në orën 10.00, sipas kohës lokale të Nju Jorkut.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›