E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX Task Force për akuzat e Dick Martit

PRISHTINE-Mekanizmi i aprovuar nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për hetimin e akuzave që ish-senatori zviceran, Dick Marty, i ka bërë në raportin e tij të miratuar nga Këshilli i Evropës, është afër kompletimit dhe zyrtarët e tij do t’i vijojnë hetimet që janë nisur që në Janar të këtij viti nga prokurorët e misionit të BE-së për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX.

Ky trup që është emëruar si Task Force, sipas zyrtarëve të EULEX-it, do të funksionalizohet brenda shumë pak kohësh dhe do të veprojë nën hapesiren e këtij misioni.

“Rekrutimi i stafit të Task Forcës është në proces të finalizimit. Presim që Task Force ta nisë punën së shpejti, duke u mbështetur në hetimet paraprake që EULEX-i i ka nisur. Ne jemi duke i marrë masat e duhura në mënyrë që Task Forca të procedojë menjëherë hetimet e saj”, ka thënë zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Haëton.

Ai nuk ka dhënë hollësi të tjera në lidhje me përbërjen dhe punën e këtij trupi të veçantë që do të merret me hetimin e akuzave për trafikim organesh, trajtim çnjerëzor dhe krim të organizuar nga ish-eprorët e UÇK-së, në mesin e të cilëve është i përfshirë edhe emri i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Mirëpo sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, në raportin e tij të kaluar për Kosovën, të bërë publik para pak javësh se ka marrë konfirmimin nga EULEX-i se Task Forca do të jetë operacionale në fund të verës, atëherë kur do të përmbyllet procesi i rekrutimi të tërë stafit.

“Task Forca do të jetë e përbërë nga dy prokurorë ndërkombëtarë dhe disa hetues ndërkombëtarë, të specializuar në hetimin e krimeve të luftës. Task Forca e cila do të ushtrojë funksionet nën autoritetin administrativ të Kreut të Komponentit të Drejtësisë së EULEX-it, do të jetë i vendosur në Bruksel dhe Prishtinë”, ka shkruar Ban Ki-moon, në raportin periodik prill-korrik, i cili do të prezantohet në fillim të javës së ardhshme para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ai ka theksuar se autoritetet e Kosovës kanë shprehur vullnet për bashkëpunim në hetimin e pretendimeve të bëra nga raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, dhe se e kanë mirëpritur krijimin e Task Forcës së EULEX-it. Ndërkohë ka bërë të ditur se autoritetet e Beogradit vazhdojnë që të qëndrojnë prapa qëndrimit se Këshilli i Sigurimit duhet të krijojë një trup të pavarur hetues, i cili do të kishte mandat hetues në Shqipëri dhe më tej.

Krijimi i Task-Forcës nga BE-ja ishte vlerësuar si kompromis mes kërkesave të Serbisë dhe vetë senatorit e raportuesit të Këshillit të Evropës që akuzat e bëra të hetohen nga një trup i OKB-së, dhe qëndrimeve të shteteve përkrahëse të Kosovës, që akuzat të hetohen vetëm nga misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX.

(d.b/Koha Ditore/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›