E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festo me Kosovën - Evropianët e rinj

Kompania Saatchi & Saatchi prezantoi sot, në një konferencë me gazetarë, aktivitetet e ndryshme që do të zhvillohen në përvjetorin e dytë të pavarësisë, më 17 shkurt.

Fushata për festimin e pavarësisë, e cila është titulluar: "Festo me Kosovën - Evropianët e Rinj", thuhet se u drejtohet aktorëve kryesorë ndërkombëtarë në Kosovë, liderëve botërorë, miqve të Kosovës nga e gjithë bota, vendim-marrësve ndërkombëtare, fëmijëve nga shkollat lokale, si dhe kosovarëve në diasporë.

Në listën e aktiviteteve kryesore që do të organizohen nga Saatchi & Saatchi përfshihen:
-Vizatime të bëra nga nxënësit e Kosovës, të cilat do t'u shpërndahen krerëve botërorë. Mes shumë udhëheqësve botërorë, ata që do të marrin nga një vizatim janë edhe Barack Obama - Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Angela Merkel - Kancelare e Gjermanisë, Mbretëresha Elizabeta e II-të e Britanisë së Madhe dhe Ban Ki-Moon - Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.

-Video përshëndetëse nga miqtë e Kosovës nga e gjithë bota, të cilat do të postohen në faqet e Facebook, Twitter, Myspace dhe Youtube.
Videot më të mira do të transmetohen në TV ndërkombëtare CNN, CNBC, Euronews dhe Eurosport, si dhe në televizionet vendore.

Gjithashtu do të paraqiten edhe reklamat e fëmijëve të lindur më 17 shkurt 2008, të cilët e ndajnë ditëlindjet e tyre me datën e njëjtë kur është shpallur pavarësia e Kosovës.

Të gjitha materialet festive të Evropianëve të Rinj, do të dërgohen edhe ambasadave të Kosovës që tashmë janë hapur në disa shtete të botës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›