E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa depërtim në Lindjen e Mesme

Negociata pa rezultat: i dërguari i SHBA-së në Lindjen e Mesme, George Mitchell, edhe pas rrethit të tij më të ri të përpjekjeve paqësore në Lindjen e Mesme nuk arriti ndonjë depërtim.

Të dielën, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, theksoi pas takimit me Mitchellin se janë “shkëmbyer disa ide interesante sa i përket ringjalljes së procesit paqësor”.

Megjithatë, mediet izraelite njoftuan sot se gjatë takimit mes Netanyahut dhe Mitchellit nuk është arritur ndonjë përparim. Mediet njoftuan edhe për takimin mes Mitchellit dhe presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, me ç’rast u theksua se Mitchell nuk arriti ta bindë as Abbasin për rikthim në tavolinën e negociatave.

Megjithatë, pas takimit që pati me Abbasin, Mitchell theksoi se ai do të vazhdojë angazhimin për formimin e një shteti të qëndrueshëm të Palestinës.

I dërguari amerikan është takuar edhe me mbretin e Jordanisë, Abdullahun, i cili theksoi se Mitchell duhet të intensifikojë përpjekjet e tij, për të arritur përparimin e nevojshëm.

“Pengesat, të cilat po pamundësojnë rifillimin e negociatave paqësore, duhet të eliminohen”, tha Abdullah.

Më herët, kryenegociatori palestinez, Saeb Erekat, kishte akuzuar Netanyahun se po saboton me qëllim përpjekjet paqësore të Mitchellit, duke theksuar se me qëllim që të rifillojnë negociatat, Izraeli duhet të ndalë të gjitha aktivitetet nëpër kolonitë hebrenje në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›