E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmohet shtëpia e një kleriku mysliman në Oslo

Është sulmuar sot në mëngjes me armë zjarri shtëpia e një kleriku kurd në Oslo, i cili ka formuar një grup militant që vepron në Irak, me ç’rast ka pësuar lëndime një i afërt i tij, njoftoi policia norvegjeze.

Mullah Krekar, themelues i grupit radikal islamik, Ansar Al Islam, nuk është lënduar, por dhëndëri i tij u dërgua në spital, pasi që është plagosur në dorë, por gjendja e tij është stabile, njoftoi policia.

Dëshmitarët okularë theksuan se dy persona janë arratisur nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia theksoi se nuk ka ende asnjë të dyshuar.

Krekar ka formuar Ansar Al Islamin, gjatë kohës sa ka qëndruar si refugjatë në Norvegji. Ky grup cilësohet si organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe disa shtete tjera. Dyshohet se ky grup ka ndërmarrë sulme vetëvrasëse kundër forcave të koalicionit në Irak.

Avokati i Krekarit, Brynjar Meling, theksoi se sulmuesit kishin tentuar të hyjnë në shtëpinë e tij, para se të hapnin zjarr.

Krekar më herët ka theksuar se nuk është më udhëheqës i Ansar Al Islamit dhe ka mohuar se ka lidhje me Al Qaidën. Në dhjetor të vitit 2006, OKB-ja e ka përfshirë atë në listën e personave, për të cilët dyshohet se kanë lidhje me Al Qaidën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›