E Shtunë, 31 Tetor 2026

Martin Amis: Revolucioni seksual ka dështuar

Martin Amis i ka kaluar muajt e fundit duke u marrë me përfundimin e “The Pregnant Widow”, një prej romaneve më ambiciozë të tij dhe sigurisht një nga më të priturit e këtij viti. Libri, ngjarjet e të cilit janë bazuar në Italinë e viteve ‘70-të, e ka marrë titullin nga një batutë e Alexander Herzen. Sipas Herzen, revolucioni, në momentin që vret një regjim pa i dhënë jetë një të riu, gjeneron një vejushë shtatzënë. Tema është ajo e revolucionit seksual dhe vejusha shtatzënë e librit është feminizmi.

Sepse revolucioni seksual ka qenë rast i humbur. Ashtu siç ka deklaruar Amis, do të kishte qenë më mirë nëse bota do drejtohej nga gratë. Por nuk shkoi kështu dhe pikë: “Por unë e konsideroj veten një shkrimtar feminist”, ka shpjeguar. Një kthesë e pritur me elozhe të mëdha nga kritika angleze. Amis, që sapo ka mbushur 70 vjeç, është kthyer të jetojë përfundimisht në Londër, pas një periudhe rreth 2-vjeçare në Uruguai. Gjithmonë është dalluar për qartësinë me të cilën ka shprehur bindjet e veta në çdo sjellje politikisht korrekte. Kush e njeh mirë, e di që bëhet fjalë për diçka që shkon përtej provokimit, edhe pse në të kaluarën është akuzuar vazhdimisht për cinizëm, ndërsa në vitet e fundit edhe për racizëm dhe islamofobi.

Akuza të cilat shkrimtari i hedh poshtë pikë për pikë, duke mos pasur frikë nga idetë e veta dhe duke thelluar refleksionin politik dhe social edhe kur ky çon në përfundime të sikletshme dhe të pakëndshme. Por nëse intelektuali luftëtar vazhdon të shkaktojë polemika dhe të gjenerojë armiqësi, librat e tij janë pritur gjithmonë si një ngjarje. Sot Amis duket sikur bezdiset paksa kur i kujton se ka qenë një “enfant prodige” i letërsisë botërore dhe flet me qejf për autorët që pëlqen, ndërsa kinemanë pa u menduar gjatë e konsideron një formë arti më inferiore në krahasim me letërsinë. “Unë mendoj se kinemaja është e pakrahasueshme për sa u përket skenave me aksion dhe në përgjithësi për gjithçka që lidhet me çdo veprim të jashtëm, por për sa i përket intimitetit dhe çdo zhvillimi psikologjik, sugjestionimi dhe fuqia e fjalës së shkruar është jashtëzakonisht më e madhe”, shpjegon në shtëpinë e tij të bukur në Londër.

Cili është kërcënimi më i madh për gjuhën e fjalës?

Injoranca. Unë nuk jam apokaliptik për sa u përket gjuhëve të reja dhe formave të reja të shprehjes. Megjithatë mendoj se mungesa e kulturës mund ta transformojë çdo mundësi në një rrezik. Një film i bukur nuk do e dëmtonte kurrë një roman të bukur, por është e nevojshme të jesh në gjendje të vlerësosh si njërin, ashtu edhe tjetrin. Dhe të dish të shijosh gjuhët respektive.

Cilët janë librat më të rëndësishëm në vitet e fundit?

Duhet të pranoj se lexoj pak nga letërsia e sotme dhe mendoj se gjykimi nuk duhet të jetë kurrë bashkëkohor. E di që mund të duket si një mënyrë e shmangies nga pyetja, por unë dua të di se sa prej tyre do t’i mbijetojnë kohës. Mund të them se kaloj më shumë kohë nën shoqërinë e klasikëve të mëdhenj.

Çfarë mund të mësojmë ende nga klasikët?

Klasikët janë të tillë, sepse janë jashtë kohës dhe janë në gjendje të flasin për atë që ndodh gjithmonë. Sigurisht që ekzistojnë edhe klasikë modernë. Po mendoj për disa shkrimtarë që i përkisnin një brezi para meje, si për shembull Saul Bellow: një libër si “Aventurat e Augie March” është me siguri një klasik. Të njëjtën gjë mund të them edhe për “Dëshpërimin” e Vladimir Nabokovit. Por dua të përmend edhe emrin e një klasiku më të afërt dhe një të antikitetit, nga të cilët mund të mësojmë shumë: “Zhurma e bardhë” e Don deLillo dhe “Metamorfozat” e Ovidit.

Mund të më citoni edhe ndonjë klasik të kinemasë që ju e pëlqeni dhe i riktheheni shpesh?

“Demi i tërbuar” i Martin Scorsese. Një film i jashtëzakonshëm.

Cili është mendimi juaj për e-book-ët e sotëm?

Besoj se asnjëherë nuk duhet pasur frikë nga mundësitë që të ofrohen, por në të njëjtën kohë është e nevojshme të dish t’i përballosh i përgatitur. E pranoj që sentimentalisht jam i lidhur me librat e vjetër prej letre. Më pëlqen prania fizike e tyre, mundësia për të mbajtur shënime në faqet e tyre, apo përthyerja e faqes për të treguar se deri ku ke arritur me leximin. E di mirë që teknologjitë po përpiqen të jenë kundër këtij aspekti, por bëhet fjalë për diçka të lidhur shumë ngushtë me formimin kulturor të miliona personave. Unë mendoj se truri i njeriut të letrave dhe lexuesit të tij funksion ndryshe nga truri i atij që përdor kompjuterin. Por e di edhe se brezat e rinj do t’i adaptojnë me natyrshmëri këto teknologji dhe ajo që ne na duket revolucionare, për ta do të jetë krejtësisht normale.

Mendoni se është e mundur “të arratiseni” nga fakti i të shkruarit për vetveten?

Nuk është as e mundur, as e pamundur, është diçka që duhet ta pranojmë. Kënaqësia e leximit shkon përkrah asaj të shkrimit.

Një temë shumë e përdorur në librat tuaj është ajo e seksit.

Është një temë e rëndësishme e ekzistencës dhe sigurisht që në këtë rast nuk po flas vetëm për veten. Bëhet fjalë për një argument që është i vështirë të trajtohet me efikasitet, sinqeritet dhe inteligjencë.

Rruga juaj intelektuale i ngjan më shumë asaj të babait tuaj, Kingsley, që nga komunist u bë simpatizant i Margaret Thatcher?

Kam folur gjatë për itinerarin kulturor dhe politik të babit tim në librat e mi. Mund t’ju përgjigjem duke thënë se duke u rritur, disa rrugë duken të pashmangshme dhe çdokush duhet t’i përgjigjet vetëm ndërgjegjes.

Shkrimtarët dhe artistët në përgjithësi janë në kundërshtim me qeverinë e vendit ku jetojnë?

Nga mënyra se si e shoh unë shkrimtarin, mendoj se duhet të ndihet gjithnjë i pavarur nga çdo lloj regjimi. Nuk ekziston asnjë qeveri që mund të kënaqë kërkesat e mendjeve të sofistikuara.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›