E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldinjo pritetsi mbret nga tifozëte Flamengos

RIO DE ZHANEIRO- Ronaldinjo është prezantuar te Flamengo, duke u pritur nga 20 mijë tifozë të ekzaltuar, në një festë masive të zhvilluar në stadium dhe në rrugë.
Ish-fituesi i “Topit të Artë” ka nënshkruar një kontratë katër vjeçare me klubin e Rio de Zhaneiros, ndërsa duket se është kthyer që tani në idhullin e tifozerisë. Në festën e organizuar për marrjen e fantazistit nuk kanë munguar edhe artistë apo njerëz të famshëm në Brazil, të gjithë tifozë të Flamengos. Ronaldinjo mbërriti në stadium me fanelën me numrin 10, ndërsa turma e tifozëve u ka rënë trumbetave dhe ka valëvitur flamuj gjigandë me fytyren e tij. Duke parë atmosferën, fantazisti brazilian u pa tepër i emocionuar, ndërsa u premtoi tifozëve titullin. “Shpresoj t’ua rikthej gjithë këtë afeksion, - deklaroi Ronaldinjo. – Ju faleminderit për këtë entuziazëm, tani jam një kuqezi, jam i Flamengos”, shtoi ai.

Qëllimi i Ronaldinjos është që të luajë në Kupën e Botës 2014, që do të organizohet pikërisht në Brazil. Në konferencën për shtyp të prezantimit, bashkë me presidenten e Flamengos Patrisia Amorim, Ronaldinjo deklaroi se një nga synimet e tij është që të ndihmojë Brazilin të fitojë Kupën e gjashtë të botës. “Vendosa të vij në Brazil për shkak të kësaj. Pas gjithë kësaj periudhe, tani dua të kem shansin të luajë në Olimpiadë dhe në Kupën e Botës. Jam rikthyer në Brazil dhe kam rigjetur motivimi, Dua të rikthehem edhe në ekipin kombëtar dhe të qëndroj deri në Kupën e Botës 2014”, deklaroi Ronaldinjo. Braziliani u bë i famshëm në Botërorin e vitit 2002 në Japoni dhe Kore, ku ndihmoi kombëtaren e vendit të tij të fitonte trofeun e pestë. Ai u zhvendos nga Gremio për te Paris Sent Zhermen në vitin 2001, ndërsa në 2003, kaloi te Barcelona. Pas 5 sezonesh me katalanasit, në vitin 2008, Ronaldinjo u bë pjesë e Milanit.
Karriera e tij nisi rënien pas Botërorit të vitit 2006, kur fantazisti nuk dukej se gëzonte më talentin e dikurshëm. Pas 2 vjetësh e gjysmë me Milanin, Ronaldinjo bëhet pjesë e Flamengos, klubit më popullor të Brazilit, me rreth 25 milionë tifozë.

(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›