E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa kushtëzime

AKR’ja vazhdon të kushtëzojë hyrjen në koalicion me postin e Presidentit. Zyrtarë të saj vlerësojnë se Pacolli i përmbush të gjitha kriteret për këtë post. Ndërkaq, Naim Maloku i AAK’së kërkon nga të gjitha partitë parlamentare që të mos kushtëzojnë ndërtimin e institucioneve të reja. Dy Aleancat po presin ofertën e PDK’së për të nisur bisedimet për koalicionin e ri qeveritar. Nga Faton Ismajli më 29 janar 2011 në ora 09:07

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Naim Maloku ka deklaruar se asnjë parti politike nuk duhet të paraqesë kushte për ndërtimin e Qeverisë së re të Kosovës dhe zgjedhjes së Presidentit.

Maloku u ka bërë thirrje të gjitha partive parlamentare, duke përfshirë PDK’në, e cila do të udhëheqë këtë proces, që në bisedimet për krijimin e institucioneve të reja të hyjnë pa kushte dhe paragjykime lidhur ndarjen e posteve politike.

“Asnjëra nga partitë, as PDK’ja dhe as AAK’ja dhe AKR’ja, por as LDK’ja nuk duhet të vënë kushte në lidhje me formimin e Qeverisë së ardhshme”, ka thënë Maloku, në një bisedë për Express, të premten.

“Kushtëzime nuk duhet të ketë asnjë parti”, ka shtuar ai.

Ky qëndrim i Nënkryetarit të AAK’së vjen pas deklaratave të përsëritura të zyrtarëve të AKR’së se nuk hyjnë në koalicion qeveritar nëse lideri i tyre nuk bëhet President i Kosovës.

Të njëjtin qëndrim e ka përsëritur edhe të premten Zëvendëspresidenti i AKR’së, Ibrahim Gashi. Ai ka thënë se AKR’ja mbetet prapa qëndrimit se Pacolli është kandidati që i përmbush të gjitha kriteret për të ushtruar postin e Kryetarit të Kosovës.
“AKR’ja e ka kandidatin më potencial, me kredencialet më të mëdha që mund të përmbushë në këto rrethana kriteret optimale për President. Ne vazhdojmë ta kemi kërkesë kryesore votimin e Pacollit për President”, ka përsëritur Gashi.

Mirëpo, nëse në koalicion hyjnë të dy Aleancat – e Pacollit dhe ajo e Haradinajt, kjo e fundit mund të thirret në numër më të madh të deputetëve për të insistuar në postin e presidentit.

Për këtë arsye, emri i udhëheqësit aktual të AAK’së, Blerim Shala, është përmendur si njeriu që mund të zgjidhet President.
Shala ka sqaruar se nuk i është bërë asnjë ofertë serioze për këtë post dhe nëse ndodh diçka e tillë, së pari duhet të shqyrtohet në organet drejtuese të partisë.
Ndryshe, zyrtarët e PDK’së kanë paralajmëruar se pas certifikimit të rezultateve do t’ju dërgojnë të gjitha partive parlamentare ofertën me shkrim për të ndërtuar Qeverinë dhe institucionet e tjera.

Aktualisht, duket se përveç Vetëvendosjes, një ofertë të tillë do ta refuzojë edhe LDK-ja e Isa Mustafës.

Lideri i LDK’së fillimisht ka kërkuar qeveri teknike, por tani propozon formimin e një Qeverie të përkohshme, ku do të hynin të gjitha grupet parlamentare, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, këtë vit. Asnjë nga partitë parlamentare dhe as ndërkombëtarët nuk e kanë pranuar këtë ide.
Nga ana tjetër, përveç AKR’së, edhe AAK’ja e Haradinajt gjithnjë e më shumë po tregohet e gatshme për të bashkëqeverisur me PDK’në, por nuk ka vendim për këtë.

Ibrahim Gashi nga AKR’ja thotë se është obligim kushtetues të trajtojnë ftesën eventuale të Partisë Demokratike të Kosovës.

“AKR’ja do t’i përgjigjet për faktin se AKR’ja do të jetë në një koalicion në radhë të parë që ta ndihmojë procesin e tejkalimit të kësaj situata dhe krijimin e institucioneve. Nëse kjo kërkohet prej saj”, ka thënë Gashi.

Ai nuk ka dashur të flasë nëse do të hyjë Behgjet Pacolli në koalicion me PDK’në, ku pjesë e kulaqit qeveritar do të ishte edhe AAK’ja e Ramush Haradinajt.

“Pasi të shkojmë në bisedime me partinë e parë dhe të dëgjojmë kushtet, pastaj mund të përgjigjem nëse hyjmë në koalicion me ndonjë parti tjetër. Nuk e dimë dhe nuk e paragjykojmë se kush do të jetë pjesë e Qeverisë”, ka shtuar Gashi.

Edhe AAK’ja ka pranuar se do ta shqyrtojë ftesën e PDK’së për koalicion qeveritar.
Këtë e ka thënë njeriu, i cili vazhdimisht ka kritikuar PDK’në dhe Hashim Thaçin për keqqeverisje. Mirëpo, ka thënë se në AAK ende është në fuqi qëndrimi se nuk duhet të bashkëqeveriset me PDK’në.

“Në nuk do ta injorojmë ftesën e Thaçit”, ka thënë Ardian Gjini për Klan Kosova.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›