Shkrumb e shpresë
Shtëpia dukej sikur ato të shkatërruara në kohën e luftës. Kulmi i djegur, muret e djegura e oborri në kaos. Në fshatin Bajçinë të Podujevës, familja Osmani ka mbetur jashtë, thuajse nën qiell të hapur. Shtëpia e tyre u dogj.
Familjarët e Xhafer Osmanit, ata që mund të punojnë, ndodheshin të premten aty. Edhe pse shumë ftohtë, të gjithë mundoheshin të pastronin rrënojat e shtëpisë. Secili nga anëtarët e kësaj familjeje, ishte mbushur pluhur.
Shtëpia e tyre u dogj të mërkurën në mbrëmje.
Xhaferi nga fshati Bajçinë, së bashku me pesë anëtarët e tjerë të familjes, që nga mbrëmja e së mërkurës kanë mbetur vetëm me një kat të shtëpisë. Kati i dytë u është djegur tërësisht, kulmi, tri dhoma të fjetjes, korridori dhe banjoja. Tash, gjithë familja po qëndron në dy dhomat që kanë shpëtuar në katin e parë.
Xhaferi punon si mësues në fshatin Silejvicë, ndërsa anëtarët e tjerë të familjes janë të papunë. Por që nga nata kur iu dogj njëri kat i shtëpisë, as Xhaferi, e as fëmijët e tij nuk kanë shkuar në shkollë. Ata po mundohen t’i ndihmojnë njëri-tjetrin, në mënyrë që t’i sanojnë pasojat që prapa vetes ka lënë zjarri i natës së 26 janarit.
Teksa e shikonte shtëpinë nga poshtë, Xhaferi kujtonte detajet nga nata e së mërkurës. Ai thotë se kur ka filluar shtëpia të digjet, e gjithë familja ka qenë në gjumë. “Shtëpia ka nisë me u djegë pak para orës 24. E, për fat të mirë, pak pas atij çasti mua më ka dalë gjumi”, rrëfen Xhaferi për Express.
Në ato momente ai ka dalë nga dhoma ku flinte, për t’u nisur drejt dhomës tjetër, ku ishin fëmijët. “Kur dola në korridor, e pashë se shkallët e katit të dytë ishin kapluar nga zjarri. Menjëherë vrapova te telefoni dhe lajmërova zjarrfikësit, të cilët nuk vonuan shumë dhe erdhën”, pohon Xhaferi, teksa fshin shenjat e mbetura nga hiri në fytyrë.
Megjithatë, në pritje të zjarrfikësve, ai bashkë me vëllain ishin përpjekur që ta shuanin zjarrin me kova. “Por zjarri ishte shpërndarë dhe nuk patëm sukses. Frikësohesha se zjarri do të zbriste në katin e parë, e do kisha mbetë pa shtëpi”, pohon Xhaferi.
Ai ndjehet i lumtur që zjarrfikësit kanë arritur t’i shpëtojnë të paktën katin e parë të shtëpisë. “Për fat të mirë, fëmijët kanë fjetë poshtë atë natë, kjo më bën të lumtur. Askush nga ne nuk është dëmtuar”, tregon ai.
Xhaferi thotë se deri tash nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga ekspertë për shkaktarin e djegies së shtëpisë. Megjithatë, ai ka disa dyshime. “Atë natë nuk kemi pasur rrymë deri vonë, e fëmijët kanë mësuar lart me qirinj. Jam i bindur se ata e kanë harruar ndonjë qiri të ndezur lart. Prej asaj dite, fëmijët nuk po shkojnë në shkollë. Të gjitha librat, rrobat ushqimin i kemi pasë lart, nuk kemi as këpucë. Gjithçka është djegur”, rrëfen ai.
Sidoqoftë, kjo familje tashmë ka marrë disa ndihma nga të afërmit e tyre. Xhaferi thotë se për gjërat elementare, pak ushqim e disa veshje janë kujdesur vëllai dhe dhëndri i tij. E, për ndihmë rreth rregullimit të shtëpisë, ai është detyruar t’i drejtohet Komunës së Podujevës. “Pa kulm në këtë mot të ligë, po më rrezikohet edhe kati ku po jetoj, prandaj shkova në Komunë. Por, sa pashë unë, ndihmë nga aty nuk ka”, tregon Xhaferi.
Zyrtarë komunalë ia kishin dhënë një krah letra për t’i plotësuar. “Kishte procedura shumë, derisa të përfundojnë ato, mund të më dëmtohet edhe ky kat”, flet i shqetësuar ai.
Pa shtëpi edhe familja Zullufi
Sidoqoftë, ky nuk është rasti i vetëm në Llap që një familje ka mbetur pa kulm mbi kokë. Rast i njëjtë si i familjes Osmani nga Bajçina, i ka ndodhur edhe Hamit Zullufit nga Podujeva. Ndryshe nga Xhafer Osmani, Hamitit i është djegur pothuajse e gjithë shtëpia, prandaj ai me gjashtë anëtarët e tjerë të familjes, është detyruar të largohet nga aty. Shtëpia i është bërë e pabanueshme. Kulmi dhe kuzhina janë djegur tërësisht. Përveç kësaj, edhe dhomat e tjera që i kanë shpëtuar janë në rrezik, sepse tavanet i kanë të dëmtuara.
Besniku, djali i Hamit Zullufit, thotë se ai dhe babai i tij nuk kanë qenë fare në shtëpi, kur ka ndodhur ngjarja. “Në shtëpi kanë qenë vetëm gruaja e babës dhe nusja ime me vajzën e vogël. Derisa ato e kanë vërejtur se shtëpia ka nisur të marrë flakë, ishte shumë vonë”, tregon Besniku për Express. Ai thotë se zjarrfikësit janë njoftuar nëpërmjet fqinjëve.
Ndryshe prej familjes nga fshati Bajçinë, Besniku thotë se atij i është djegur shtëpia nga tensioni i lartë i rrymës. “Nuk jemi të sigurt për këtë, megjithatë dyshimet janë te tensioni i lartë i rrymës”, pohon ai.
Sidoqoftë, arsyet pse është djegur shtëpia e tij, për Besnikun duket se nuk janë shumë me rëndësi. Për të mbetet më i rëndësishëm fakti se ai me pesë anëtarët e tjerë të familjes kanë mbetur pa kulm mbi kokë. Sipas Besnikut, që nga dita e enjte, kur ka ndodhur kjo tragjedi, ai është detyruar që t’u gjejë familjarëve nga një vendstrehim. “Gruan e kam dërguar te prindërit, e babai me gruan e unë po rrimë tek axha. Kështu duhet të veprojmë derisa ta bëjmë një zgjidhje”, flet i shqetësuar ai, teksa apelon Komunën e Podujevës që t’i gjejë atij një zgjidhje të përkohshme. “Koha është e papërshtatshme dhe shumë e ftohtë, prandaj shpresoj në ndihmën e Komunës, derisa të mundohem ta gjej një zgjidhje”.
Një rast tjetër i djegies së një shtëpie ka ndodhur në rajonin e Llapit edhe para një jave, në fshatin Repë. Menjëherë pasi është njoftuar për këto dy rastet e fundit, Ruzhdi Dema, shefi i sektorit për strehim në Komunën e Podujevës, ka pohuar se Komuna nuk ka fond të veçantë për raste emergjente. Sipas tij, rastit të parë në Repë, nëpërmjet KFOR-it, i është siguruar materiali për kulm dhe si masë e përkohshme i është dhënë një kontejner, që kishte shërbyer si shkollë më herët.