E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analizat e Martyt

Dick Marty është i gatshëm të takohet me EULEX’in, por nuk mendon se ky mekanizëm duhet të kryejë hetime rreth dyshimeve për trafikimin me organe. Ish-prokurori zviceran mendon se kjo duhet të bëhet nga një grup ekspertësh dhe me një program për mbrojtje të dëshmitarëve. Zvicerani nuk përmbahet nga komentet politike kur flet për Kosovën. Thotë se skena politike duhet të ndryshojë dhe se vendi nuk duhet të udhëhiqet nga politikanë të dyshuar. Nga Shpend Limoni - Strasbourg më 29 janar 2011 në ora 09:04

Dick Marty duket se është në një linjë mendimi me Presidentin e Serbisë, Boris Tadic kur është fjala rreth hetimeve të mundshme për akuzat që dalin nga raporti i tij.
Ai vazhdon të mbetet i bindur se misioni europian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, nuk është në gjendje të kryejë hetime për shkak të arsyeve që ai tashmë i ka përmendur shpesh- frika për dëshmitarët.

Ish-prokurori zviceran tenton të shfaqet miqësor kur bisedon me gazetarët nga Kosova, por nuk ka ndërruar mendje aspak për ato që ka shkruar në raportin e tij.

Ai madje thotë se pjesa që i referohet trafikimit të organeve në Kosovë dhe përfshirjes të liderëve kosovarë nuk është pjesa më e rëndë e raportit. Sipas tij, krimi i parë është vrasja e njerëzve. Marty është i bindur se ato kanë ndodhur, por atij nuk i pëlqejnë shumë pyetjet dhe fokusimi vetëm te çështja e trafikimit të organeve.

Rezoluta e miratuar nga Këshilli i Europës bazuar në raportin e tij bën thirrje për investigim të këtyre pohimeve, por Marty nuk dëshiron që këtë ta bëjë EULEX’i.
“Unë ende nuk e di a është EULEX’i kompetent dhe nëse EULEX’i do ta marrë përgjegjësinë për të kryer detyrën, unë tashmë i jam përgjigjur pyetjes së EULEX’it. Jam treguar i gatshëm që të takohem me ta në mënyrë që të merrem vesh se si unë të ndihmoj tutje. Por një gjë ta kemi të qartë dhe kjo është kyçe, e që është mbrojtja e dëshmitarëve”, thotë Marty gjatë një bisede me tri gazeta të përditshme kosovare në Strasbourg.
Pavarësisht kësaj, zvicerani ka një ide tjetër se kush duhet të kryejë hetime.
“Unë besoj se sugjerimi më i mirë ka ardhur nga Human Rights Watch, krijimi i një grupi të veçantë ekspertësh...”

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic ka propozuar krijimin e një mekanizmi ndërkombëtar për të kryer hetime. Te kjo vërejtje, Marty nuk preferon të ndalet shumë, por thekson se është e nevojshme një drejtësi e aftë në të cilën njerëzit kanë besim dhe dëshmojnë pa e rrezikuar jetën e tyre.

Por a u beson Marty kolegëve të tij nga Gjermania, Franca dhe vendet e tjera europiane?
“Në raportin tim them se EULEX’i nuk ka resurse, nuk e ka gjithnjë fuqinë që në mënyrë të besueshme t’i trajtojë të gjithë problemet. Vendi është shumë i vogël, secili e njeh secilin, në të njëjtën kohë po ndodhin edhe gjëra të çuditshme si për shembull fakti se këshilltari i Haradinajt është një amerikan, ish-numri dy i UNMIK-ut. Kjo nuk është kundër ligjit, por është diçka e çuditshme dhe lë një shije të çuditshme. Edhe zoti Thaçi tash ka ish-zyrtarë të UNMIK’ut që janë këshilltarë dhe jo gjithmonë marrëdhëniet mes zyrtarëve ndërkombëtarë dhe vendës kanë baza të shëndosha”, thotë ai.
“Unë besoj se shumë njerëz në EULEX janë shumë kompetentë, por kem një problem - ata qëndrojnë shkurt në Kosovë. Edhe unë për shumë vite kam hetuar si kryeprokuror i shtetit personat e përfshirë në krim të organizuar, mirëpo nëse çdo dy vjet do të ndryshoheshin prokurorët që merren me rastin, ata kurrë nuk do të mund të bëjnë më hetime të thella”, thotë ai.

E kur është fjala për mundësinë që hetimet të kryhen nga vetë kosovarët, Marty ka përgjigje të prerë.

“Unë nuk besoj se kjo administratë mund të bëjë diçka”!
Në raportin e tij Marty thotë se ka dëshmitarë kredibilë për të vërtetuar ato që ka shkruar. Si burim të informacionit, Marty ka përmendur edhe shërbimet sekrete të vendeve të caktuara. Por ai nuk sqaron nëse këto shërbime flasin për trafikim organesh në Kosovë, por thotë se aty flitet për marrëdhëniet në mes të disa politikanëve dhe krimit të organizuar.
“Sa i përket trafikimit të organeve për këtë temë, flitet që nga viti 2003 dhe nëse doni të flasim për çështjen e raportit, ne kemi gjetur dëshmitarë të rinj që flasin për këtë temë. Më e rëndësishmja që nuk duhet harruar është se ka qindra e qindra persona të cilët janë zhdukur dhe prej të cilëve më nuk ka kurrfarë gjurme. Në fillim është dyshuar që një pjesë e këtyre personave janë dërguar për në Shqipëri, ndërkaq që sot kjo është verifikuar edhe pas hetimeve të EULEX-it”, thotë ai.

Nuk flet shumë për trafikim organesh

Por Marty nuk dëshiron shumë të flasë rreth trafikimit me organe, madje në një moment jep edhe shenjë se dëshiron ta ndërpresë intervistën, kur pyetet nëse në dokumentet e shërbimeve sekrete ka parë edhe pohime për trafikim me organe njerëzore. Por, megjithatë nuk largohet menjëherë.

“Unë jam shprehur shumë qartë në raportin tim sa u përket trafikimit të organeve. Për mua është pak e çuditshme që tani fokusohet dhe kërkohet patjetër fokusimi te trafikimi i organeve. Për mua është e rëndësishme të theksohet se para se të bëhet trafikimi i organeve, ata njerëz janë vrarë. Pra janë kidnapuar, vrarë dhe janë trafikuar organet. Për mua më e keqja është se njerëzit janë vrarë. Unë gjithashtu më duhet t`jua kujtoj se në vitin 2006 në Prishtinë, me gjithë një prani të fuqishme ndërkombëtare, është vazhduar me trafikimin e organeve”, thotë ai.
“Për mua çështja e trafikimit të organeve nuk është diçka tërësisht e panjohur për rajonin. Nuk flas vetëm për Kosovën. Edhe për Moldavinë ne kemi bërë një raport në këtë këshill, autore e së cilës ka qenë një zvicerane. Ajo ka bërë një raport për trafikimin e organeve në të gjithë Europën. Për mua Kosova është vetëm një shpërfaqje e këtij fenomeni, ndërkaq në krye të punës janë banda ndërkombëtare që kanë rrjet ndërkombëtar”, shton Marty.

Kur përsërit akuzat, Marty kujtohet të bëjë edhe lëvdata për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. “Unë nuk them se të gjithë pjesëtarët e UÇK’së kanë qenë të përfshirë në këtë veprimtari. Unë bile them se shumica prej tyre kanë luftuar në mënyrë patriotike për lirinë e vendit të tyre, por fatkeqësisht askush në media nuk e citon këtë. Unë gjithashtu besoj se raporti im është instrumentalizuar, sepse gjithmonë politikisht është bërë një përpjekje që jashtë të krijohet një armik, pra të krijohet armiku i jashtëm për qëllime të politikave të brendshme. Kurrë nuk ka qenë qëllimi imi që të kriminalizoj një popull, sepse kjo do të ishte absurde dhe para se gjithash e padrejtë”, thotë ai.
Marty ka mbrojtur edhe një element tjetër të raportit të tij ku flet për funksionimin e shoqërisë kosovare në formë klanore.

“Një strukturë e tillë klanore bëhet e domosdoshme kur shteti është shumë i dobët, kur populli nuk ka besim në shtet, atëherë ai popull fillon të ketë besim në klan, sepse klani në ato raste është në gjendje t’i marrë në mbrojtje njerëzit, u jep punë dhe u ofron ato që shteti i dobët nuk mundet” .

Për t’i dhënë edhe më shumë kredibilitet raportit të tij, Marty përmend edhe zyrtarë amerikanë, të cilët, sipas tij, e konsiderojnë serioze punën e tij.
“Mund të citoj vetëm atë që ka thënë Contryman, i cili është përgjegjës në State Departament për Ballkanin. Ai ka thënë se ne këtë raport e marrim shumë seriozisht. Unë shpresoj që askush të mos spekuloj me këtë rast, por të gjithë të mundësojnë krijimin e një strukture, e cila nxjerr të vërtetën në shesh. Unë besoj se Kosova ka nevojë për zyrtarë që nuk janë të dyshuar për asgjë”, thotë ai.

Marty mohon të jetë ndikuar nga raportet e shërbimet serbe kur e ka bërë raportin, ndërsa rreth gabimit që ka bërë kur ka shkruar emrin e Kryeministrit Thaçi, thotë se i ka pasur dy variantet e identitetit të tij, por është përcaktuar për njërin, e që ka dalë gabimisht në raportin e tij.

“Unë mund t’ju garantoj në mënyrë absolute se nuk kam përdorur asnjë burim serb dhe asnjë burim rus”, shton ai.
Pavarësisht se disa herë ka theksuar se raporti i tij nuk ka të bëjë me politikën, Marty nuk kursehet nga komentet për politikanët dhe realitetin politik kosovar. Ai thotë se kosovarët duhet të lirohen nga ndërkombëtarët dhe të mësohen të “fluturojnë” vetë.
Po ashtu, thotë se Kosova duhet të udhëhiqet nga njerëz të tjerë.

“Duhet të ketë kandidatë të rinj, të ketë liri të medias, duhet ndërtuar një shoqëri pluraliste. Unë e di që kjo nuk arrihet menjëherë, besoj që në Kosovë dhe në diasporë ka mjaft kapacitet dhe inteligjencë. Duhet që ky kapacitet të bëhen bashkë. Unë kam filluar të besoj se kjo prani e fuqishme ndërkombëtare është një pengesë për rritjen e këtyre kapaciteteve”.
“Kur dikush bën politikë, ai person jo vetëm që nuk duhet të jetë kriminel, por nuk duhet të jetë as i dyshuar për 15 vjet, ndryshe besimi i popullit në institucione zhduket. Këto akuza dhe fajësime janë bërë në mënyrë publike dhe nëse një gazetë në mënyrë publike më akuzon mua në Zvicër, edhe unë duhet të reagoj dhe të bëj diçka”, thotë ai.

Marty nuk ka një përgjigje kur pyetet se çka nëse për raportin e tij në fund nuk do të gjenden prova.

I pyetur se a është në gjendje të përballet me pasojat ligjore në rast të tillë, Marty përgjigjet shkurt. “Këtë do ta shohim”, thotë ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›