E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD: Hetim urgjent për 5 gjyqtarët që liruan mjekët

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka filluar një hetim urgjent për gjyqtarët që "liruan" nga qelia mjekët e akuzuar për korrupsion.

Burime zyrtare nga KLD-ja thanë për gazetën "Shqip" se nën "akuzë" ndodhen pesë gjyqtarë, dy nga Shkalla e Parë dhe tre nga Gjykata e Apelit, të cilët brenda pak javëve kanë "liruar" tre mjekë, megjithëse prokuroria dispononte prova të pakundërshtueshme për arrestimin e tyre.

Rasti më flagrant për inspektorët e KLD-së është vendimi i Gjykatës së Tiranës për mjekun Agim Karaj.

Po kjo gjykatë, me të njëjtat prova, vendosi dy masa të ndryshme, arrest në burg dhe arrest shtëpie, ç’ka cilësohet nga këshilli si precedent i rrezikshëm i drejtësisë shqiptare.

Burimet thanë se janë marrë të gjitha materialet dhe po verifikohen. Nëse ka parregullsi në dhënie vendimi nga gjyqtarja Mariana Dedi, atëherë mund të merren masa.

Gjithsesi, para këtij veprimi inspektorët e KLD-së do të marrin edhe mendimin e gjyqtares në fjalë në lidhje me interpretimin e masës së arrestit.

Rasti i dytë i "hetimit" nga KLD-ja është për gjyqtarin që liroi nga qelia mjekun Ardian Nelaj. Për këtë rast, bazuar dhe në oponencën e prokurorisë, KLD-ja tha se i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës të gjitha pretendimet ligjore të gjyqtarit në fjalë.

Krahas dy rasteve të mësipërme, burimet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë deklarojnë se kanë marrë nën "hetim" tre gjyqtarët që liruan nga burgu mjekun Kastriot Dautaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›