E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligje të reja për pronat

Republikanët do të votojnë kundër nenit 9 të projektbuxhetit, në rast se procesi i negocimit për rritjen e fondit për kompensimin e pronarëve nuk jep rezultate. Madhi paralajmëron nisma ligjore pas muajit janar

Në një kohë kur ish-pronarët kanë dalë kundër qeverisë për të kundërshtuar fondin e përcaktuar për kompensimin e pronave që iu janë zënë, edhe republikanët u bashkohen në qëndrim, duke dalë në këtë pikë kundër qeverisë. Kryetari i grupit parlamentar republikan, Arian Madhi, thotë se grupi i tij parlamentar do të votojë kundër nenit 9 të projektbuxhetit të qeverisë për vitin 2009, në rast se arrihet në një konsensus për rritjen e shifrës për kompensimin e ish-pronarëve. Vetë Madhi, i cili është një nga deputetët që ka marrë më shumë nisma ligjore për këtë çështje, shpreh rezerva për implementimin e këtyre ligjeve dhe për kompensimin e ish-pronarëve. Sipas kreut republikan, procesi i kthimit dhe i kompensimit të pronave nuk ka ecur me ritmet e duhura dhe në kuadrin legjislativ ka akoma nevojë për të bërë përmirësime. “Eventualisht, procesi i kthimit dhe i kompensimit të pronarëve nuk ka ecur me ritmet që ne shpresonim se do të realizoheshin në këtë mandat qeverisës. Nga ana tjetër, ne mendojmë se ka ende rezerva në kuadrin legjislativ për ta përsosur më tej atë, në favor të procesit të kthimit dhe kompensimit”, thotë Madhi për “Korrierin”. Në këtë pikë, ai paralajmëron se pas muajit janar, republikanët do të ndërmarrin sërish nisma të tjera ligjore për sa i përket kompensimit të ish-pronarëve, nisma të cilat synojnë që të përmirësojnë edhe më tej këtë proces. “Partia Republikane nuk e ka shmangur asnjëherë përgjegjësinë e saj në drejtim të pronave, pasi ajo jo vetëm e quan themelin e programit dhe e vlerëson si të tillë, por nga ana tjetër, e ka vlerësuar si një drejtim kushtetues të të gjithë parimeve ndërkombëtare”, thotë Madhi, duke premtuar se republikanët do të vijojnë ta kenë pjesë të programit të tyre çështjen e pronave. Ndërkohë, fondi prej 500 milionë lekësh që është përcaktuar nga qeveria shqiptare për të kompensuar pronarët, është cilësuar si një shumë qesharake nga përfaqësuesit e ish-pronarëve. Sipas tyre, një shumë e tillë është një pikë uji në oqeanin e madh të kompensimit real. Ndërsa ish-pronarët kanë shprehur hapur kundërshtimet e tyre, nga ana tjetër, qeveria shqiptare ka nisur të shpërndajë lejet e legalizimit për pronarët e rinj. Ndërkohë, edhe për pak muaj vjen sërish periudha e fushatës elektorale, ku qeveria do të kërkojë votat e shtresave të ish-pronarëve, të ish-të përndjekurve etj., shtresa të cilat tashmë kanë nisur ta deklarojnë votën e tyre kundër, sepse sipas tyre, nuk janë mbajtur premtimet e vitit 2005, kohë në të cilën Partia Demokratike ishte në opozitë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›