Paci dhe mumjet e Egjiptit dy vizione, dy mijë vjet larg
13 portrete mumjesh që nuk janë parë kurrë më parë në Spanjë, të realizuara aty mes shekullit I dhe III pas Krishtit, qëndrojnë përballë portreteve të mumjeve të kohëve moderne në video instalacionin e artistit shqiptar Ardian Paci. Një qasje artistike e dy vizioneve të ndara për gati dy mijë vjet në kohë: ku, nga njëra anë janë veprat e piktorëve grekë të shek I dhe III pas Krishtit, dhe nga ana tjetër qëndron i vetëm artisti shqiptar Ardian Paci. Ekspozita e mundësuar nga Ministria e Kulturës së Spanjës në mjediset e Muzeut Arkeologjik Kombëtar në Madrid u hap mbrëmë në kuadër të “PhotoEspana 2011”. Ekspozita që do të qëndrojë e hapur deri më 24 korrik paraqet pikturat e portreteve të 13 mumjeve, si historia më e lashtë e fotografisë, për shkak se këto portrete në mënyrë të ngjashme me fotot ID, piktorët e asaj periudhe kanë portretizuar tiparet e mumjeve, disa gjetur në afërsi të varrit të Al Faym dhe të tjera në Egjipt, për të lehtësuar identifikimin e të vdekurve. Në kontrast me këto portrete, prezantohet video instalacioni i artistit shqiptar Ardian Paci, që paraqet portrete klandestinësh tranzit në Shqipëri, që presin më kot të largohen. Ata janë portrete të vdekura të njerëzve të gjallë.
John Berger, që i dedikon një nga tekstet më domethënëse kësaj ekspozite, shprehet se ato janë portrete të migrimeve të kohëve moderne. “Kjo ekspozitë është një homazh i dy kohëve: 13 portrete mumjesh së bashku të 2 mijë vjetëve më parë dhe 13 portrete emigrantësh që kërkojnë të largohen, por që mbeten aty palëvizur - këta janë të “vdekurit” e gjallë që jetojnë mes nesh. Ekspozita paraqet 13 portrete, që për shkak të konceptit të tyre dhe teknikës së përdorur nga piktorët grekë janë shembulli i vetëm i pikturës klasike, që kanë mundur të mbërrijë deri në ditët tona. Një ekspozitë e tillë hapet për herë të parë në Madrid, ku do të qëndrojë e hapur deri më 24 korrik dhe pas kësaj ajo do të udhëtojë edhe në vende të ndryshme të botës, ku ndalesa e radhës do të jetë Egjipti.
Në videon e Ardian Pacit paraqiten një grup klandestinësh që presin në shkallët që të ngjisin në avion, më kot, që të largohen. Ata qëndrojnë aty pa lëvizur, ndërkohë që avionë të ndryshëm ikin e vijnë. Video e Pacit nuk ka fjalë, ashtu si një pikturë apo fotografi, mesazhi përcillet përmes portretit të këtyre njerëzve. Dhimbja, vuajtja, pritja e gjatë shihet në sytë, buzët, duart dhe lëvizjet e tyre. Ata janë mumje të gjalla, që presin të largohen diku, ashtu si të vdekurit drejt jetës së përtejme. Ka qenë pikërisht kjo që ka bashkuar portretet e shekullit të 21-të të Ardian Pacit me portretet e shekullit I-III pas Krishtit të artistëve grekë.