Zhani Ciko, në podiumin e dirigjentit në sheshin historik “Cavour”
Një shqiptar në podiumin e dirigjentit në sheshin historik “Cavour”, pikërisht aty ku është dhe pllaka përkujtimore për Luigj Gurakuqin, do të drejtojë sonte në mbrëmje Orkestrën Simfonike të Barit në Koncertin lirik simfonik “Simfoni dhe Arie të Operave Verdiane. Orkestra Sinfonike e Barit ka ftuar mjeshtrin Zhani Ciko, në cilësinë e dirigjentit të Orkestrës, për drejtimin e koncertit lirik simfonik, organizuar me rastin e150-vjetorit të Bashkimit të Italisë. Mjeshtri Zhani Ciko, njëkohësisht drejtor i Teatrit të Operas dhe Baletit, shprehet se është një emocion i dyfishtë për të. “E konsideroj si një nder të veçantë që më është besuar drejtimi i një koncerti Verdian në ditën e jubileut të Bashkimit të Italisë në Bari, që veç të tjerave është dhe vendi ku jetojnë dhe shumë bashkëkombës. Një shqiptar në podiumin e dirigjentit në sheshin historik “Cavour”, pikërisht aty ku është dhe pllaka përkujtimore për Luigj Gurakuqin, i rrit shumë emocionet e mia për këtë eveniment sa profesional kaq edhe historik. Jam i mbushur me mirënjohjen më të thellë për të gjithë që më kanë besuar dhe nderuar jo vetëm për muzikën, por dhe përfaqësimin si shqiptar. Dhe kjo ka vlerë jo vetëm për mua.” Orkestra Simfonike e Barit, e krijuar më 1968, përfaqëson një nga Orkestrat e mirënjohura në Itali. Ajo organizon stinë të rregullta koncertore. Dirigjentë të njohur botërisht, si Kurt Sanderling, Anatole Fistoulari, krahas mjeshtërve si Nino Rota, Luciano Berio, Enio Moricone etj., kanë hipur në podiumin e orkestrës. Gjithashtu, solistët më të njohur të Italisë dhe në botë, si Salvatore Açando, Marcello Abbado, Casadesus e shumë të tjerë kanë bashkëpunuar në vite, duke i sjellë prestigj këtij ansambli orkestror. Drejtorë artistikë të orkestrës kanë qenë emra të shquar, si Bruno Campanella, Roberto de Simone dhe aktualisht Mjeshtri Marco Remzi, aktualisht edhe drejtor i Konservatorit të Barit. Për herë të parë kjo orkestër, në koncertin që do të jepet sot në mbrëmje, drejtohet nga një shqiptar e pikërisht nga mjeshtri Zhani Ciko, i cili do të drejtojë rreth 60 muzikantë të Orkestrës Simfonike të Barit.
Programi i koncertit do të përmbajë nga repertori i kompozitorit Xhuzepe Verdi, që është simbol i periudhës historike të Bashkimit të Italisë, pjesë që lidhen me këtë atmosferë, si simfonitë nga operat “Nabuko”, “Forca e fatit”, arie dhe duete nga operat “Makbeth”, “Aida”, “Luisa Miller”, “Traviata” etj.