Pacientë në Emergjencë, pa nevojë
Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë e frekuentojnë rreth 200 pacientë vetëm brenda 24 orëve. Kjo, sipas zyrtarëve shëndetësorë, ngarkon stafin e kësaj klinike tej mase dhe vështirëson punën e tyre. Problemi qëndron te sistemi i referimit, ku pacientë nga të gjitha anët e Kosovës, qofshin raste emergjente apo jo, dëshirojnë të trajtohen në këtë vend.
Basri Lenjani, ushtrues detyre i drejtorit në Emergjencë, thotë se rreth 80 për qind e rasteve që dërgohen në këtë qendër shkojnë aty pa ndonjë kriter.
“Qendra Emergjente ballafaqohet me sfida dhe me raste të natyrave emergjente dhe 80 për qind e rasteve dërgohen në qendrën emergjente pa ndonjë kriter. Këtë fluks të pacientëve nuk kemi mundur ta ndalim, për shkak se nuk kemi sistem të referimit të adresuar me udhëzim administrativ nga Ministria e Shëndetësisë. Po të kishim sistem të tillë, mjekët e tillë do të penalizoheshin”, tha Lenjani për Radion Evropa e Lirë.
Por, Lulzim Emini, ushtrues detyre i drejtorit të QKUK-së, thotë se mbajnë kontakte të vazhdueshme me të gjithë drejtorët e spitaleve regjionale dhe të qendrave të Mjekësisë familjare, në mënyrë që të ndalet fluksi i madh pacientëve në QKUK dhe rastet e ftohta, siç i quan ai, të trajtohen në spitalet përkatëse.
“Ne jemi munduar të ndikojmë në referimin e pacientëve në spitalet regjionale dhe nga qendra tjera të mjekësisë familjare përmes Ministrisë së Shëndetësisë dhe kontakteve të drejtpërdrejta me drejtorë të spitaleve dhe mendoj që ia kemi arritur, por ende nuk jemi të kënaqur”, thekson Emini.