Godet konsumatorët
Qëndrimi tashmë i njohur i Kosovë se do të përdorë masa reciprociteti ndaj Serbisë dhe Bosnjës, të cilat nuk po lejojnë të kalojnë as transit produktet kosovare, si duket do të godasë përsëri konsumatorin vendës. Biznesmenë dhe ekspertë mendojnë se këto masa mund të sjellin përsëri rritje çmimesh.
Pronari i kompanisë ‘ELKOS’, Ramiz Kelmendi, një nga importuesit e mallrave në vendet që po bllokojnë prodhimet ‘Made in Kosova’, thotë se mund të ketë rritje çmimesh, sidomos në artikujt bazë, grurë, miell, vaj dhe sheqer. Rritja e çmimeve, sipas tij, mund të shkojë deri në 5-6 për qind.
Por këto produkte, sipas Kelmendit, mund të zëvendësohen shumë lehtë edhe nga shtetet e tjera, të cilat mund të ndodhë që të jenë edhe më të lira sesa nga shtetet që importohen aktualisht. Ai ka thënë për ‘Express’ se duhet të kihet kujdes në artikujt repromaterialë, me të cilët do të mund të dëmtoheshin prodhuesit vendorë, dhe të mos dëmtohet kostoja e prodhimeve vendore. Ai ka shtuar se nëse kjo kundërpërgjigje e Qeverisë hyn në fuqi siç është paralajmëruar, nuk do t’i dëmtojë importuesit nga Kosova, “nëse ligji vlen për të gjithë njësoj”.
Kelmendi ka potencuar edhe një herë se masa e reciprocitetit nuk do ta gjejë të papërgatitur kompaninë e tij. “Unë jam i përgatitur edhe për këtë dhe për mua nuk ka asnjë vështirësi. Bizneset e suksesshme gjithmonë janë të gatshme edhe për sfida të tilla”, ka thënë ai.
Sipas ekspertit të ekonomisë, Dardan Sejdiu, ky nuk është reciprocitet i njëmendtë dhe përsëri do ta pësojë qytetari i Kosovës.
“Sepse tregtari apo importuesit kosovarë nuk do të prekin marzhën e tyre të fitimit, por kjo do të bjerë drejtpërdrejt mbi konsumatorin”, tha Sejdiu.
Ai ka theksuar se nëse shkohet me këto masa, të cilat i ka përmendur ministrja Mimoza Kusari Lila, atëherë do të kemi rritje çmimesh. Sipas tij, kjo nuk është masë e reciprocitetit. Sepse, nëse kemi reciprocitet, atëherë edhe ti i trajton me të njëjtën mënyrë produktet që vijnë nga Serbia. “Problematike është se këto nuk janë reciprocitete, sepse reciprociteti nënkupton trajtimin me të njëjtat masa siç të trajtojnë ty... Me këtë ne nuk po zbatojmë masa reciprociteti, por po e thyejmë marrëveshjen e CEFTA-s dhe njëkohësisht po hyjmë në disa hapa që nuk janë shumë të mençur”, ka thënë Sejdiu.
Sipas tij, një politikë e tillë është normale që do ta dëmtojë konsumatorin, sepse tregtarët apo importuesit nuk do ta zbresin marzhën e fitimit.
Ai thotë se kjo mënyrë do të godasë edhe bizneset importuese. “Sepse, ai duhet të paguajë doganën dhe kur paguan doganën, çmimi atij i rritet dhe këtë rritje ai do ta kompensojë te konsumatori, i cili është duke u goditur së tepërmi, viteve të fundit, nga inflacioni marramendës”, tha Sekdiu.
Ndërkaq, krejtësisht ndryshe mendon kreu i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini. Sipas tij, nuk do të ketë ngritje çmimesh, sepse kompanitë kosovare që importojnë nga Serbia, tashmë i kanë filluar bisedimet me partnerët serbë. “Përfaqësuesit e kompanive serbe në Kosovë janë duke negociuar me afaristët serbë që të ulen çmimet për 10 për qind”, pohoi Shahini. Kjo zbritje e çmimeve të importit, sipas Shahinit, mund të ndodhë, “pasi që serbët nuk janë të interesuar të humbin një treg afër 400 milionësh në Kosovë”. “Ngritje e lehtë mund të ndodhë, por jo e papërballueshme”, tha ai.
Shahini ka vënë në pikëpyetje zbatimin e kësaj mase, sepse shteti tashmë është duke negociuar çështje të ndryshme teknike, ndër të cilat është edhe bllokimi i eksporteve kosovare nga Serbia.
Ndërkaq, importuesi tjetër i njohur, kompania ‘Buçaj’ ka thënë se ngritja e taksës doganore prej 10 për qind për ta nuk paraqet asnjë problem, por gjithsesi se do të ndikojë në rritjen e çmimeve. Menaxheri i kompanisë, Arsim Jusufi thotë se importet e tyre nga Serbia janë të papërfillshme dhe nuk çojnë peshë aspak. “Kjo masë do të na dëmtonte, po të aplikohej me Slloveninë, sepse për ne Sllovenia është partneri kryesor, prej nga importojmë”, ka thënë ai.
Sa i përket ngritjes së çmimeve, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila ka thënë se do të punohet në terren, sidomos me Inspektoratin, “por s’do mend që dikush edhe mund ta keqpërdorë këtë situatë, por këtë mundësi, me punën në terren do ta minimizojmë”.
Ajo ka deklaruar se po bisedohet me importuesit e produkteve bazë dhe është parë që ata mund të bëjnë fare lehtë zgjidhje që këto produktet t’i importojnë nga vendet e tjera, përpos nga Serbia e Bosnja. Me këtë veprim të Qeverisë, sipas znj. Kusari Lila, më nuk do të jetë më e lirë malli që të imponohet nga Serbia, prandaj edhe importuesit do të orientohen nga vendet që do të kenë kosto më të lirë. “Dihet mirë fakti se nga Serbia kanë hyrë mallra edhe të vendeve të tjera, madje edhe të vendeve të largëta si India, vetëm të paketuara me “Made in Serbia”, pasi që raporti që kemi pasur me këtë shtet deri tash, ka krijuar kosto më të lirë, por po përsëris edhe që tregu ka qenë i mësuar me produkte të tilla”, ka thënë ajo.