E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjigjet Tirana

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, u është përgjigjur deklaratave të zyrtarëve në Beograd rreth ndarjes së Kosovës. Kryediplomati shqiptar thotë për Express se krijimi i shteteve etnike është i pamundur. Ai ka rikujtuar se ndryshimi i kufijve në Ballkan gjithmonë ka shkaktuar gjakderdhje. Nga Faton Ismajli më 05 qershor 2011 në ora 08:01

Tirana ka hedhur poshtë idenë e Beogradit për ndarjen e Kosovës.

Zyrtarë të lartë në Qeverinë e Serbisë duke folur për mundësinë e ndarjes së Kosovës, kanë përfshirë në debat edhe shtetin shqiptar.

Ministri i Brendshëm serb, Ivicia Dacic ka prezantuar idenë e tij nëpër mediat serbe duke thënë se Kosova duhet të ndahet mes Serbisë dhe Shqipërisë.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic po ashtu ka lënë të hapur mundësinë e një zgjidhjeje të tillë me anë të një marrëveshjeje mes serbëve dhe shqiptarëve
Por ky opsion është hedhur poshtë nga Tirana menjëherë pasi Presidenti i Serbisë, Boris Tadic ka folur për këtë opsion në një intervistë për mediat gjermane.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto ka ripërsëritur se qëndrimi i shqiptarëve është i qartë dhe se e mbështesin plotësisht integritetin territorial të Kosovës.

“Republika e Shqipërisë qëndron fort për integritetin territorial të Kosovës dhe atë e mbështet fuqishëm për njohje të reja të pavarësisë së saj”, ka thënë Haxhinasto, në një prononcim për Express, të shtunën.

Sipas vlerësimeve të Ministrit shqiptar, ideja e krijimit të shteteve etnikisht të pastra nuk funksion në territorin e Bashkimit Europian, ku synojnë të integrohen edhe vendet e Ballkanit.

“Ndarja e territoreve dhe shkëmbimeve të territoreve është një filozofi krejtësisht arkaike dhe e dështuar”, ka vlerësuar kryediplomati shqiptar.
Ai ka komentuar deklaratat e zyrtarëve serbë, duke thënë se ndryshimi i kufijve në Ballkan ka nxitur gjithmonë gjakderdhje.

“Ajo që është shqetësuese në këto deklarata që vijnë përsëri nga Beogradi, ndërkohë që historia e Ballkanit ka treguar që krijimi i shteteve etnikisht të pastra është i pamundur, ka treguar se kufijtë ndryshohen vetëm me gjakderdhje të mëdha”, ka parashikuar Ministri Haxhinasto.

“Çdokush duhet të kuptojë që kjo logjikë, kjo filozofi e shkëmbimit të territoreve, të ndarjes së territoreve, të bashkimet me shtete të tjera të Kosovës, nuk është aspak në frymën evropiane”, ka shtuar Haxhinasto.

Ndryshe, Kryediplomati shqiptar ka folur edhe për njohjet e munguara për Kosovën, duke thënë se pret rezultate të shpejta nga procesi i lobimit.
Ai nuk ka dashur të komentojë pse nuk ka njohje për Kosovën nga muaji shkurt i këtij viti, duke thënë se për këtë duhet të pyetet Prishtina.

“Nuk dëshiroj të komentoj procesin e njohjeve të Kosovës. Mund të them se jemi duke punuar së bashku edhe me vëllezërit kosovarë, me qëllim që ta ndryshojmë këtë dinamikë. Të vendosim një dinamikë tjetër më të shpejtë për njohjet e reja për Kosovën”, ka thënë ai.

Haxhinasto i ka përmendur hapat që Shqipëria po i ndërmerr me diplomacinë e Kosovës.
“E para ka të bëjë me njohjen e pavarësisë së Kosovës, e dyta ka të bëjë me integrimin e Kosovës në nismat rajonale dhe e treta ka të bëje me integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike. Këto janë prioritete të diplomacisë shqiptare, të cilat ne i koordinojmë ngushtë me Kosovën, me diplomacinë e saj. Sigurisht që ka një dinamikë pozitive dhe besoj se frytet e këtij bashkëpunimi do të shikohen në të ardhmen e afërt”, ka thënë Haxhinasto.

Pavarësisht adresave të shumta që janë krijuar në politikën e jashtme të Kosovës, Ministri shqiptar thotë se të gjitha po punojnë për të pasur rezultatet.
“Për ne kjo tregon për një rëndësi të madhe që ka aktiviteti diplomatik i Kosovës. Shikoj se ka një ndarje të punëve edhe në këtë mënyrë të organizimit të diplomacisë kosovare dhe ajo që do të japë përgjigjen më të saktë – rezultati konkret i punës që unë jam i bindur, do të vijë së shpejti”, ka shtuar ai.

Haxhinasto, i cili mban edhe postin e Zëvendëskryeministrit të Shqipërisë, ka premtuar se shpejt do të ketë njohje për Kosovën, por nuk ka përmendur ndonjë datë se kur pritet të ndodhë një gjë e tillë.

“Në këto momente nuk flasim për data, por për një proces, një dinamikë pozitive që realizohet. Jam i bindur se e gjithë kjo punë që po realizohet do të këtë produkte konkrete në të ardhmen e afërt”, ka premtuar Haxhinasto.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›