I kthehet familjes

Pas gjashtëmbëdhjetë muajsh qëndrimi në paraburgim në Kroaci, Sinan Morina, ish ushtar i UÇK-së, i është kthyer familjes.
Morina nga fshati Opterushë i Rahovecit ishte arrestuar bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga një gjykatë e Beogradit.
Autoritetet e drejtësisë në Serbi kishin lëshuar urdhër arresti për Morinën, kinse ai ka bërë krime gjatë luftës në Kosovë.
Lajmin për lirimin e tij nga burgu e kanë konfirmuar familjarët dhe burime nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.
Sinan Morina, i lindur në vitin 1972, rreth orës 23 të së shtunës ka aterruar në Aeroportin e Prishtinës.
Vëllai i tij, Eqremi, ka treguar për Express se si ka ndodhur arrestimi i tij.
“Më 21 shkurt të vitit 2010 ka qenë duke udhëtuar për në Slloveni me veturë dhe në pikën kufitare me Kroacinë, është arrestuar në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia”, thotë ai.
Në burg, Sinanin familjarë të tij e kanë vizituar disa herë.
“Ai është vizituar nga disa motra që i kemi atje, si dhe nga vëllai tjetër që është në Gjermani”, tregon Eqremi.
Familja e Sinan Morinës, e cila asnjëherë nuk ka pranuar se ai ka qenë pjesëtar i UÇK-së, i është tepër mirënjohëse Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, për punën që ka bërë rreth lirimit të tij.
“MPJ na ka ndihmuar shumë që Sinani të lirohet nga burgu në Kroaci”, thotë Eqremi.
Të gjitha pikat e aktakuzës, të ngritura nga prokuroria serbe, familja e Sinanit kishte thënë se janë të pabaza dhe i tërë procesi është i montuar.
“28 shkije e shkina të Opterushës i kanë thirrë për të dëshmuar ndaj Sinanit, asjani s’e kanë njoftë, përveç një shkine që ka thënë se e njeh këtë person si Sinan Morina, se është afër me shpinë e tij. Por, sipas saj, familja nga e cila vjen Sinani është familje e mirë dhe nuk ka bërë masakër apo kidnapim serbësh”, kishte rrëfyer Eqremi.
Sipas vëllait tjetër të Sinanit, Muharremit, në kohën për të cilën prokuroria thotë se ka kryer krime mbi serbët, ai ka qenë në Gjermani. “Atje ka shkuar në vitin 1998, përmes Shqipërisë”, kishte deklaruar ai.
Një burim nga Qeveria i ka treguar gazetës për përpjekjet që ka bërë MPJ për ta liruar nga burgu Sinanin.
“Në fund të muajit mars, ministri Enver Hoxhaj në takimin e tij me presidentin e Kroacisë, dhe me ministrin e Punëve të Jashtme atje dhe në ministrinë e Drejtësisë, e ka hapur çështjen e shtetasit Sinan Morina, duke kërkuar lirimin e tij”, tregon ky burim.
Sipas tij, përpjekjet e ministrisë kanë vazhduar edhe nga Kosova, nëpërmjet shumë ambasadorëve.
“Dje e kemi marrë konfirmimin nga pala kroate që Sinani më në fund është liruar. Ne gjatë gjithë kësaj kohe kemi besuar se autoritetet kroate nuk do ta dorëzojnë në Serbi dhe jemi mirënjohës për këtë”, thotë burimi.
Por, ky nuk është rasti i parë që Sinan Morina arrestohet dhe mbahet në burg, për shkak të fletarrestimit të lëshuar nga Serbia. Ai ishte prangosur në vitin 2006, në Mal të Zi, teksa po kthehej nga Gjermania në vendlindje.
Ai disa herë kishte udhëtuar përmes Malit të Zi, por asnjëherë më parë nuk kishte pasur ndonjë telashe gjatë kalimit të kufirit.
Sinan Morina është 39 vjeçar, i martuar dhe ka katër fëmijë. Beogradi e akuzonte për vrasje të serbëve, kidnapim, dhunim dhe djegie të objekteve të kultit më 17-19 korrik të vitit 1998.
Përpjekje për kosovarin në Zvicër
Ministria e Punëve të Jashtme është duke bërë përpjekje për të liruar nga burgu edhe një shtetas kosovar në Zvicër, i cili është arrestuar me një aktvendim të gjykatës serbe. “Besojmë se edhe ai do të lirohet së shpejti dhe të kthehet në Kosovë. Jemi duke punuar në këtë drejtim”, tha burimi i gazetës nga Qeveria.