E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK: Vendi është në krizë financiare

Nga Express më 04 qershor 2011 në ora 17:30

Derisa Ministria e Financave garanton se nuk do të ketë krizë buxhetore, Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin lidhur me thellimin e krizës ekonomike, si rezultat i qeverisjes aktuale.

Grupi i ekspertëve të ekonomisë nga ky subjekt politik konstatojnë se kjo krizë u “vulos” dhe u legalizua me miratimin, siç e quajnë ata, të “buxhetit të krizës” për vitin 2011.

Gjatë një konference për media të shtunën, Abdullah Hoti, ekspert i ekonomisë nga LDK, tha se kjo parti vlerëson se kjo krizë buxhetore nuk krijohet nga rritja e pagave, por nga pasiguria e të hyrave buxhetore që tani u konfirmua edhe me prishjen e marrëveshjes nga FMN-ja.

“LDK-ja vlerëson se kjo krizë buxhetore nuk krijohet nga rritja e pagave, por nga pasiguria në të hyrat vjetore dhe në fund tash me prishjen e marrëveshjes me FMN-në Njëqind ditët e para të kësaj qeverie i kaluan duke u marr me veten. U deshën 100 ditë vetëm për formimin e një kabineti që është megaloman, të tillë çfarë që nuk e ka asnjë vend. U deshën 100 ditë që partnerët e koalicionit të merren vesh në mes vete për ndarjen e resorëve. Vetëm para 10 ditëve u caktuan zëvendës ministrat dhe tani së fundmi edhe ministri u Diasporës”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, numri, shpërndarja dhe organizimi i resorëve qeveritar nuk reflekton ndonjë plan qeverisës të argumentuar drejt arritjes së objektivave të caktuara, por më shumë janë veprime për të akomoduar njerëz që sigurojnë stabilitetin e koalicionit.

Hoti ka thënë se me 19 ministri dhe një kabinet qeveritar me mbi 60 anëtarë, me 6 zëvendëskryeministra, me mbi 200 këshilltarë të kryeministrit, zëvendësve të tij, ministrave dhe zëvendësministrave, Kosova është rast ‘sui-generis’. Ai sa për informim ka përkujtuar se Zvicra ka 8 ministri ndërsa, Sllovenia 15.

Hoti vlerëson se kostoja vjetore e këtij kabineti është e barabartë me pensionet bazë gjatë gjithë vitit të 11 mijë pensionistëve.

Sipas tij me këtë qeveria ka shkelur edhe Ligjin e buxhetit, i cili përcakton qartë në nenin 11 se numri i të punësuarve është i kufizuar sipas tabelave buxhetore. Po ashtu, sipas tij, vlerësim për njëqind ditshin e parë të qeverisjes është e zymtë.

Hoti ka thënë se kjo u konfirmua edhe me vlerësimin e FMN-së, e cila ka vendosur të ndryshojë marrëveshjen e mëparshme, me të cilën Kosova vetëm gjatë këtij viti siguronte të hyra buxhetore prej 87 milionë euro

“Pasojat e prishjes së kësaj marrëveshje janë edhe ekonomike edhe politike. Në aspektin ekonomikë përveç këtyre 87 milionëve Kosova ka humbur edhe 57 milionë tjera nga Komisioni Evropian dhe 20 milionë euro nga Banka Botërore, të cilat janë të lidhura të kushtëzuara me respektimin e marrëveshjes me FMN-në, kështu që buxheti në total po i humb 157 milionë euro nëse kësaj i shtohen edhe 300 milionë euro të Postës që vinë nga privatizimi i PTK-së, të cilat nuk janë të sigurta nëse do të mbërrin në buxhetin e Kosovës, atëherë humbjet për buxhetin e Kosovës janë 457 milionë euro. Nëse çdo gjë tjetër shkon sipas planit të gjitha shpenzimet dhe të hyrat në buxhet atëherë në fund të vitit ne do të hymë në një situatë ku qeveria e Kosovës ka në kontot e saj vetëm 10 milionë euro”, ka thënë Hoti.

Grupi i ekspertëve të LDK-së, i cili është formuar kohë më parë dhe që ka për qëllim monitorimin e punës së Qeverisë së Kosovës, ka shprehur brengën se deficiti buxhetor dhe zvogëlimi i rezervave qeveritare do ta rrezikojë seriozisht sistemin financiar në vend.

Po ashtu, sipas Hotit, veriu i Kosovës ka vazhduar të jetë pikë e zezë për ekonominë e Kosovës. Kontrabandimi i mallrave, ka përkujtuar ai, po e çrregullon konkurrencën në vend dhe po nxjerr jashtë tregut shumë biznese produktive duke zvogëluar punësimin dhe buxhetin e Kosovës. (KosovaPress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›